Aktualitet

EMRAT- Trafik ndërkombëtar emigrantësh dhe korrupsion, SPAK çon për gjykim 27 persona

Ata akuzohen se gjatë viteve 2022-2024 kanë organizuar kalimin e paligjshëm të mbi 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, përmes Shqipërisë, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

I.F
EMRAT- Trafik ndërkombëtar emigrantësh dhe korrupsion, SPAK
Foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 27 persona të cilët dyshohen si anëtarë të dy grupeve të strukturuara kriminale. SPAK bën me dije se hetimet kanë zbuluar një skemë të gjerë kriminale me përmasa transnacionale që përfshinte shqiptarë dhe të huaj. Ata akuzohen se gjatë viteve 2022-2024 kanë organizuar kalimin e paligjshëm të mbi 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, përmes Shqipërisë, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Të pandehurit janë: Endri Seiti, Luan Tafalla, Km Shaqiful Islam, Endrit Ismailaj, Alok Mittra, Arnol Shpata, Xhuljeta Çopa, Artur Mata, Antonio Speçhio, Altin Hasani, Edmond Braha, Emmanuel Delphin Assako Ella, Arjel hoxha, Orkid Pijaneci, Arba Hysenllari, Ermal Hoxha, Artan Sulaj, Luan Sulaj, Shkelzen Matmuja (Bokciu), Faik Matmuja, Bukurosh Muja, Lulzim Lami, Tome Preka, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli, Iglan Alliçi, Arben Domi.

SPAK bën me dije se veprimtaria e tyre kriminale konsiston në:

a) Rekrutimin e shtetasve të huaj në vendet e origjinës, kryesisht nga vendet e Azisë së Jugut dhe Afrikës Qendrore, përmes agjensive që operojnë në Emiratet e Bashkuara, Dubai apo edhe Kameruni. Personat e rekrutuar janë meshkuj të moshës mesatarisht nga 24 në 35 vjeç.

b) Ndërmjetësimin e punësimit të tyre nga drejtuesit e grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri, ku përfshihej aplikimi për punësimin e tyre në shoqëri të ndryshme tregtare, të regjistruar në Shqipëri (kryesisht në Tiranë, Vlorë dhe Durrës). Në disa raste, ortakët apo administratorët e këtyre shoqërive ishin në dijeni të fiktivitetit të punësimit dhe konsiderohen edhe ata si pjesëmarrës në grupin kriminal;

c) Falsifikimin e kontratave të qirasë, kontratat e punës, ftesat për punësim, çertifikatat profesionale apo ato të njohjes së gjuhëve të huaja, të domosdoshme për procedurat për t’u pajisur me vizën të kategorisë “D”, sipas ligjit nr. 108/2023 “Për të huajt” dhe VKM-së nr. 858, datë 858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në RSh”.

d) Lehtësimin e kësaj veprimtarie kriminale nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe asaj Vendore të Policisë Kufitare, të përfshirë në procedurat e pajisjes me vizë të këtyre shtetasve, në dijeni dhe pjesë e këtij grupi kriminal, përmes këshillimit.

d) Planifikimin e udhëtimit të këtyre shtetasve dhe pajisjen me bileta udhëtimi nga ’Vacation Planner Travel &Tourism”, me vendndodhje në Emiratet e Bashkuara Arabe, me ortak të pandehurin, Km Shaqiful Islam, udhëtimin e tyre nga aeroportet e Dubait dhe të Kamerunit, në drejtim të Rinasit dhe pritjen nga drejtuesit dhe pjesëtarët e grupeve kriminale.

e) Akomodimin e tyre prej disa orësh apo disa ditësh në vende të ndryshme si; restorante, hotele apo vende të tjerë, duke mos u paraqitur ose duke u paraqitur në punë vetëm për disa ditë tek shoqëritë tregtare që kanë kërkuar punësimin e tyre, në pritje të transportimit të tyre;

f) Transportimin në mënyrë të paligjshme nga grupe kriminale përtej kufijve shqiptarë në rrugën ballkanike, Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe më tej me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian.

Në lidhje me pagesat e kryera provohet se secili nga shtetasit e huaj nga Bangladeshi kanë paguar shuma parash, të cilat variojnë nga gjashtëmijë deri në tetëmijë euro. Këto shuma parash paguheshin prej tyre kryesisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri tek drejtuesit e grupit nepërmjet sistemit “Haëala”.

Nga kontrollet e ushtruara në banesat e të pandehurve janë sekuestruar 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikanë, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB