
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Ergys Verdho, ka dhënë dorëheqjen një ditë më parë nga posti që mbante prej afro 3 vitesh. Kjo dorëheqje e Verdhos lidhet me një detyrë tjetër që ai do të marrë në krye të hekurudhave, një sektor i cili gjatë viteve në vijim pritet të marrë fonde të konsiderueshme, teksa qeveria ka lajmëruar një sërë projektesh madhore si hekurudha me Prishtinën, por edhe ajo Vorë-Hani i Hotit.
Deri tani qeveria nuk ka ende një emër për zëvendesimin e Verdhos në krye të KESH,që mbetet një prej kompanive më të rëndësishme publike në vendin tonë. Aktualisht po përfliten disa emra, përfshirë Eltar Dedën, i cili aktualisht mban postin e kreut në kompaninë tjetër publike Albpetrol.
Ergys Verdho u emërua si drejtor i KESH në qershor të vitit 2021. Gjatë kohës që ishte në krye të Koorporatës, vendi u përball me situatën e jashtëzakonshme energjetike si pasojë e krizës që imponoi lufta në Ukrainë.
Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme energjetike dhe përmes procedurave të përshpejtuara kontraktoi dy anije për prodhim energjie në Vlorë nga kompania amerikane Excelerate. Kontrata e anijeve me konsorciumin Excelerate-Renco u negociua nga Verdho. Por kjo kontratë ka shkaktuar debate të forta në publik, jo vetëm për shkak të vlerës së madhe rreth 70 milionë euro, për faktin se deri tani ato nuk janë vënë asnjë ditë në punë.
Edhe pse ka shpenzuar disa milionë euro për të ndërtuar infrastrukturën që mundëson nisjen e prodhimit të energjisë nga dy termocentralet lundruese, KESH ende nuk i ka marrë në dorëzim këto mjete./ZËRI