TIRANË- Biznesmeni Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderave të AKSHI-t, vazhdon të përfitojë kontrata nga institucionet publike përmes kompanive që lidhen me të. Bëhet fjalë për kompanitë "Soft & Solution" dhe “Horizon”, të cilat edhe pse janë në sekeustro teksa hetimet për AKSHI-n vjojnë, rezultojnë se kanë përfituar një tender.
Rasti i fundit lidhet me Universitetin e Tiranës, i cili ka shpallur fitues "Soft & Solution" dhe "Horizon" në një procedurë prokurimi me vlerë mbi 50 mijë euro për “Mirëmbajtjen e Sistemit Informativ të Institucionit”. Tenderi u shpall në maj të këtij viti nga administratori i Universitetit, Skerdi Dafa, nën drejtimin e rektorit Artan Hoxha, ndërsa biznesmeni Ermal Beqiri vijon të jetë në arrati dhe në kërkim nga SPAK.
Mësohet se në tenderin në fjalë, kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Por, njëri prej tyre rezulton të jetë skualifikuar menjëherë pasi nuk ka paraqitur asnjë ofertë, duke lënë të vetëm në garë bashkimin e operatorëve në pronësi të Ermal Beqirit, të cilët u shpallën edhe fitues.
Shoqëritë “Soft & Solution” dhe “Horizon” gjenden nën sekuestro prej muajit prill 2026, me urdhër të Gjykatës së Posaçme, në vijim të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Ato menaxhohen nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara, megjithëse pronari përfitues vijon të jetë Ermal Beqiri.
Beqiri është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, nën dyshimet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, ndërsa hetimet lidhen edhe me procedura tenderimi në institucione të rëndësishme publike. Ndaj Beqirit u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, e cila vijon të jetë e paekzekutuar nga Policia e Shtetit. Ish-drejtoresha Karçanaj fillimisht u vendos në “arrest shtëpie”, ndërsa më pas u la në detyrim për paraqitje nga Gjykata e Lartë./ZËRI