
Operacioni ‘Mobile 6’ u zhvillua në tetor 2023 në vende europiane që nuk janë pjesë e BE-së, si dhe në zona kufitare në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Moldavi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Operacioni përfshiu rreth 400 oficerë nga 25 vende, të cilët kryen kontrolle të hollësishme në disa vende. Europol dhe INTERPOL mbështetën operacionin e drejtuar nga Frontex, duke ofruar ekspertizë dhe akses në bazat e tyre të të dhënave.
Ky bashkëpunim mundësoi gjetjen e 505 makinave të vjedhura, rreth 2000 pjesëve të vjedhura të automjeteve, 32 motorëve dhe 248 dokumenteve të falsifikuara. Gjithashtu, autoritetet identifikuan 209 kontrabandistë.

Forcat e rendit identifikuan një sërë taktikash kriminale gjatë operacionit, duke përfshirë disa raste që përfshijnë të ashtuquajturat 'makina të klonuara'. Kriminelët përdorin letrat e identitetit që i përkasin një automjeti tjetër, zakonisht një makinë të shkatërruar, të së njëjtës markë, model dhe ngjyrë.
Dokumentet u paraqiten autoriteteve në rast të një procedure kontrolli kufitar, lidhur me kërkimin e një makine të vjedhur. Incidente të tilla paraqesin një problem të shtuar për oficerët kufitarë, pasi po rritet sofistikimi i numrave të identifikimit të automjeteve të falsifikuara.
Roli i Europolit
Europol mbështeti Operacionin Mobile 6, duke ofruar ekspertizë gjatë takimit përgatitor, si dhe duke kontribuar në kontrollet e bazës së të dhënave. Një shembull bashkëpunimi është rasti kur autoritetet greke i kërkuan oficerit të Europolit, të vendosur në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë, që të kontrollojë informacionin për një person të arrestuar.
I dyshuari ishte arrestuar teksa po tentonte të kalonte kufirin me një makinë të raportuar të vjedhur në Austri disa ditë më parë. Informacioni i oficerit të Europol ishte shumë i rëndësishëm, pasi dispononte infot e shtetit austriak për mjetin.

Operacioni u zhvillua nën ‘ombrellën’ e EMPACT, Platformës Multidisiplinare Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale, e cila trajton kërcënimet më të rëndësishme që vijnë nga krimi i organizuar dhe ai ndërkombëtar. EMPACT ndihmon në bashkëpunimin strategjik dhe operacional midis autoriteteve kombëtare, institucioneve dhe organeve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Vendet pjesëmarrëse në operacion:
Shtetet Anëtare të BE-së: Austria, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Greqia, Gjermania, Italia, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Spanja.
Vendet jashtë BE-së: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia
Agjencitë/organizatat pjesëmarrëse:
Europol
Frontex
INTERPOL./Zëri.ai/