
SHKODËR- Zbardhen detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku një 15-vjeçar ndërroi jetë për shkak se u godit me thikë nga një bashkëmoshatar. Viktima Emiljano Gjoni dhe autori, Klodian Kolbuçaj, frekuentonin të njëjtën shkollë. Të dy ishin në vitin e parë, në shkollën e mesme profesionale "Hamdi Bushati” në Shkodër. Madje jetonin në të njëjtën lagje, atë të ish-Fermentimit.
Dyshohet se mes të dyve ka pasur konflikte të mëparshme që janë "konkretizuar" mbrëmjen e djeshme, ku të dy u përplasën me thikë. Se si ka ndodhur dinamika e plotë e ngjarjes, ende nuk ka një version zyrtar, por autori pretendon se viktima e ka goditur me thikë në sup dhe më pas ai ka vepruar për t’u vetëmbrojtur. Pasi ishte plagosur në sup, ka marrë thikën, e cila ka rënë në tokë e ka marrë dhe më pas e ka qëlluar për ta plagosur.
“Qëlluam të dy në lagje dhe Emiljano kishte një thikë në dorë. Ai më qëlloi në sup dhe gjatë përplasjes tonë fizike thika i ra në tokë. Unë e mora nga toka thikën që kishte Emiljano më parë dhe për t’u vetëmbrojtur e qëllova me idenë për ta plagosur dhe më pas u largova nga vendngjarja,”- mësohet se ka thënë ai.
Deri më tani raportohet se në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe një fëmijë, që me shumë gjasa do të merret në pyetje për të zbardhur dinamikën e krimit. Po ashtu, janë marrë edhe kamerat e sigurisë në zonë. 15-vjeçari pretendon se është qëlluar vetëm një herë me thikë në zemër. Ndërsa ka qenë një kalimtar i rastit, ai që e ka dërguar në spitalin Rajonal të Shkodrës, ku pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk ka mundur të shpëtojë për shkak të hemorragjisë.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur thikën me të cilën ndodhi plagosja e rëndë që i mori jetën 15-vjeçarit, ndërsa autori u kap po mbrëmë, disa orë pas ngjarjes, pasi kishte tentuar që të fshihej./ZËRI