TIRANË- Tre punonjës mbetën të lënduar nga shpërthimi i fuqishëm në pikën e karburantit “Eida”, pranë Brrylit në Tiranë, ndërsa ende nuk ka një përgjigje përfundimtare për shkakun e ngjarjes.
Mësohet se të tre të lënduarit janë marrë në pyetje nga grupi hetimor. Në dëshmitë e tyre kanë deklaruar se në momentin e shpërthimit po furnizonin me gaz një automjet dhe se nuk kanë dijeni se çfarë mund ta ketë shkaktuar ngjarjen. Sipas dëshmive të tyre, pranë ambienteve të zyrave ndodhej edhe një bombol gazi. Grupi hetimor po verifikon nëse ajo mund të ketë pasur ndonjë rol në shpërthim dhe nëse ka pasur rrjedhje gazi.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, mes tyre mundësinë që shpërthimi të jetë shkaktuar nga automjeti që po furnizohej me gaz apo nga një defekt i mundshëm në sistemin e furnizimit. Paralelisht, po verifikohet gjendja dhe pozicioni i bombolës së gazit, si dhe çdo element tjetër teknik që mund të ketë shkaktuar shpërthimin.
Shpërthimi në karburantin “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë, u regjistrua mëngjesin e të mërkurws, 9 shtator, në një zonë të populluar të Tiranës, pranë së cilës ndodhen edhe banesa. Si pasojë e shpërthimit morwn lëndime 3 punonjës të karburantit, të cilët momentin e shpërthimit kanë qenë duke furnizuar me gaz një automjet. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, teksa ëshë shembur edhe një ambient që shërbente si zyrë e karburantit.
Fillimisht, Policia dyshoi se kishte shpërthyer një bombol gazi në momentin që një automjet po furnizohej. Ndërkohë, zjarrfikësit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ngritwn dyshime të tjera, duke përfshirë mundësinë që zjarri të ketë nisur në zyrat e karburantit ose nga një automjet brenda territorit të stacionit. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar administratori, menaxheri i pikës, drejtuesi teknik. Ndërkohë po verifikohen dhe dokumentacionet e pikës së karburantit sa i takon aktivitetit, kontrolleve dhe lejeve përkatëse sipas ligjit./ZËRI