
KORÇË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Korçës, ku një i ri nga Durrësi është hedhur nga kati i 8-të i një pallati.
18-vjeçari mësohet ka festuar mbrëmjen e djeshme ku ka konsumuar alkool, ndërsa ndodhej në Korçë me disa shokë të tij.
Në gjendje të dehur dhe në rrethana ende të paqarta, ai është hedhur nga lartësia dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vend.
Mësohet se policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje miqtë që ndodheshin në një dhomë me të riun.
Grupi i shokëve kishin marrë me qera ditore apartamentin në katin e tetë, nga u hodh edhe i riu.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 25.12.2023, rreth orës 03:50, në lagjen nr. 17, Korçë, në trotuar, është gjetur i pajetë shtetasi G. M., 18 vjeç, banues në Durrës. Nga hetimet e para dyshohet se ky shtetas nën efektin e pijeve alkoolike, mund të jetë vetëhedhur nga tarraca e një pallati, në të cilin 18-vjeçari së bashku me disa shokë të tjerë kishin marrë me qera ditore, një hyrje apartamenti në katin e tetë (të fundit) të tij.
Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit Korçë, për të kryer veprimet mjeko-ligjore.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar të gjithë personat që u gjetën në ambientin të cilin e kishin marrë me qera dhe vijon intervistimi i tyre për sqarimin e plotë të rrethanave dhe mekanizmit të ngjarjes së rëndë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
/ZËRI