
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka nxjerrë një dokument ku i kërkohet që të paraqitet në SPAK më 15 maj. Krahas dokumentit, Bardhi thotë se është thirrur në SPAK për të dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me denoncimin ndaj vëllait të Edi Ramës, Olsit, të cilin e akuzon si të përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë.
Bardhi do të merret në pyetje nga prokurori Alfred Shehu, i cili 3 vite më parë shërbente në Prokurorinë e Elbasanit. Madje "Xibraka" nuk është e vetmja dosje që e lidh me Bardhin, por edhe vrasjen e "Pipit", Pjerin Xhuvanit, shumë pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Për këtë ngjarje në gjyq është Arbër Paplekaj, ndërsa edhe pse dëshmitar, Bardhi nuk u mor kurrë në pyetje. Disa kohë më pas prokurori Alfred Shehu kaloi me sukses procestin e Vettingut, edhe pse kishte raport negativ i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Pasi mbaroi punë me Vettingun, u emërua në krye të prokurorisë së Sarandës, e 6 muaj pas ngjarjes aplikoi dhe u bë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kësaj herë, ai do të përballet sërish me demokratin, por kësaj here për një çështje tjetër./ZËRI