
BRITANI E MADHE- Një 19-vjeçar shqiptar, Rogers Cena është zhdukur pa gjurmë në Britaninë e Madhe. Cena është zhdukur në jug-lindje të Londrës, Peckham, e cila, sipas mediave britanike, njihet si një zonë problematike e me kriminalitet të lartë.
Gazetari Joseph Reaidi shkruan se Cena për herë të fundit ka deklaruar se do të shkonte në një dyqan lokal rreth orës 15:17 të mërkurën, më 22 janar 2025 dhe që prej atij momenti nuk është kthyer më.
“Gruaja po përgatitej të bënte pica në shtëpi dhe i kërkoi djalit të merrte disa gjëra nga dyqani,”- shpjegoi babai i tij, Eduart Cena.
Autoritetet kanë gjetur celularin e shqiptarit në Waltham Cross, një zonë krejt e panjohur për familjen e tij.
Babai ka kontrolluar çdo dyqan të zonës, madje edhe kamerat e sigurisë, por pa sukses.
Babai i tij tha: Unë dua që ai vetëm të kthehet në shtëpi. Nuk kemi mundur të flemë fare. Më duhet të marr një pije energjike vetëm për t'u ngritur në këmbë. Ne do të rrënohemi nga humbja e tij. Ai kurrë nuk ka bërë asnjë gabim në jetën e tij, ai është një djalë shumë i drejtë, ai flet saktë, ai kurrë nuk e shkel ligjin.
Familja ka jetuar në Peckham për një vit, por Rogersi nuk kishte shumë shoqëri në zonë.
“Ishte i rezervuar, qëndronte më shumë në shtëpi,”- tha mikesha e familjes Melissa Corps.
“Është thjesht shumë jashtë karakterit, ai me të vërtetë nuk del nga shtëpia. Ai kurrë nuk e ka kaluar natën larg, kështu që të mungojë për dy netë tani është vërtet e frikshme,”- shton ajo.
Një transaksion bankar tregoi se Rogers kishte shkelur dhe në Liverpool Street. Babai i tij pranoi se është konfuz pse ai vazhdon të shfaqet në këto zona të ndryshme.
Ai shtoi: Unë thjesht dua të dëgjoj nga ai dhe që ai të thotë se është mirë.