
BULQIZË- Një person që kërkohej nga familja e tij prej tre ditësh është gjetur gjallë, por i aksidentuar. Ai po udhëtonte në aksin rrugor Bulqizë-Shupenzë në vendin e quajtur Ura e Çerenecit, por ka humbur kontrollin e mjetit dhe makina është përmbysur jashtë rruge, në Zallin e Bulqizës.

Aksidenti është pikasur nga një kalimtarë pas tre ditësh, të cilët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Drejtuesi i automjetit është gjetur i bllokuar në makinë, në gjendje të dehidratuar, por jashtë rrezikut për jetën. Ai është dërguar drejt spitalit të Bulqizës për t’i dhënë ndihmën e parë. Më pas është nisur drejt spitalit të Traumës për një mjekim më të specializuar.
Drejtuesi i mjetit me origjinë nga Maqellara ishte shpallur në kërkim nga familjarët, pasi nuk kishte shkuar në banesë.