
TIRANË-Në foto janë dy vëllezërit Artur dhe Durim Gurzi, të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Blloku 33”, kundër një organizate të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Vëllezërit Gurzi qëndronin në krye të organizatës.
Konkretisht dy vëllezërit së bashku me vëllain e 3 të shpallur në kërkim siguronin kokainën dhe ndanin rolet e anëtarëve të tjerë të grupit kriminal. Lënda narkotike shpërndahej kryesisht në zonën e bllokut në lokale të cilat frekuentoheshin nga persona VIP, në pranga kanë rënë edhe punonjës lokalesh, kryesisht kamarier, banakjer, e menaxherë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj të arrestuarve dhe kontrollit në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar: 1 kg e 964 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 450 gramë Heroinë, 2 armë zjarri pistoleta, 29 celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale, ndërsa më parë organizatës i ishin kapur edhe 85 kg hashash./ZËRI