
PEQIN- Për herë të dytë brenda një jave, siguria në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri është vënë në pikëpyetje, pasi dy drone janë kapur mbi ambientet e burgjeve. Mbrëmjen e djeshme një dron është pikasur duke fluturuar mbi burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku dhe më pas janë gjetur lëndë të ndaluara që janë hedhur në perimetrin e burgut.
Bëhet fjalë për 4 pako me telefonë, 8 karikues dhe disa doza me drogë (31 doza kokainë, 200 gramë kanabisi). Por, vetë droni nuk është mundur që të kapet nga punonjësit e burgut, dhe as personat të cilët kanë bërë të mundur ngritjen e tij.
Drejtoria e Burgjeve ka nisur hetimet për të mësuar se për kë janë sendet e hedhura në perimetrin e burgut, por edhe për të parë nëse ka pasur personel të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose ka shkuar vetë në burgun e Peqinit, ku edhe urdhëruar gadishmëri dhe kontrolle të rrepta në qeli dhe rritjen e masave të kontrollit dhe rritje të vigjilencës së kontrollit edhe nga ajri, pas konstatimit të dy rasteve të fundit të fluturimit të dronëve në hapësirën e burgjeve të Burrelit e Peqinit.
Ky është droni i dytë brenda pak ditësh pas atij që u pikas mbi burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Fillimisht u raportua se droni kishte fluturuar mbi burg aksidenalisht, por më pas u vendos në pranga Taulant Ahmetsulaj. Burime nga Drejtoria e burgjeve bënë me dije se ngritja e dronit është bërë për llogari të një grupi kriminal, që dyshohet se donte pamje nga zona e ajrimit, por nuk përjashtohet mundësia që mjeti fluturues të përdorej për futjen e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit./ZËRI