TIRANË- Është shtyrë për në datën 31 Korrik, seanca e radhës për çështjen Gërdeci, për shkak se ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, nuk ka qenë i pranishëm sot në GJKKO. Përveç Mediut, mungonte dhe avokati i tij mbrojtës Ardian Visha, ndërsa në seancë ishte vetëm avokati tjetër Henrik Ligori.
Prokurori Klodian Braho kërkoi që të vazhdojë seanca në mungesë të ish ministrit Mediu, por mungesa e njërit prej ekspertëve, Ymer Stafa, ka bërë që gjyqtarja Irena Gjoka, të vendoste shtyrjen e seancës. Në seancë nuk ishte paraqitur njëri nga ekspertët, Ymer Stafa, i cili kishte njoftuar gjykatën se kishte probleme shëndetësore.
Gjykata, në kushtet kur eksperti i pestë nuk është paraqitur, vendosi të shtyjë seancën per në 31 korrik. Gjykata vendosi që ekspertët të paraqesin një akt të vetëm me përgjigjet e pyetjeve dhe pyetjet shtesë nga avokatët e Mediut. Sipas gjykatës, përgjigjet duhet të jenë nënshkruar nga 5 ekspertët duke deklaruar se janë nënshkruar në mënyrë kolegjiale.
Prokurori Klodian Braho: Nuk ka raport mjekësor për ekspertin që mungon dhe gjendja e tij shëndetësore nuk e pengon që të jetë në seancë. Eksperti të thirret në gjykatë dhe të japë mendimin e tij. Ekspertët të marrin edhe pyetjet e reja dhe të formulojnë një dokument të vetëm. Të kemi edhe ne një kopje të pyetjeve që të jemi të përgatitur në seancë. Ekspertët te marrin kohen e nevojshme
Avokat Henrik Ligori: Është e domosdoshme prania e ekspertit të 5, duhet të gjithë për tu përgjigjur. Të marrin kohën e nevojshme që të realizohet përgjigjja e të gjithëve.
Në seancën e javës së kaluar për çështjen Gërdeci, pati një përplasje mes avokatëve të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka. Debatet agravuan deri në pikën që Gjoka urdhëroi përjashtimin e një prej dy avokatëve të Mediut, Ardian Visha për të dalë nga salla.
E gjitha nisi me marrjen në pyetje të 5 ekspertëve: Bexhed Zeqiri, Ymer Stafa, Rasim Metallari, Latif Cela, Mondi Hoxha, të cilët kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008.
Gjatë seancës në GJKKO, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pyeti ekspertët se cila është përgjegjësia e tij. Pyetje kanë bërë edhe avokatët e Mediut, Henrik Ligori dhe Ardian Visha, por ky i fundit ka pasur edhe përplasje me gjyqtaren Irena Gjoka. Në një moment debati është zhvilluar edhe mes prokurorit të SPAK, Arben Kraja dhe avokatit Ardian Visha. Ish-drejtuesi i SPAK i kërkoi avokatit që të mos bëjë ngritje provokuese. Pavarësisht paralajmërimeve, avokati vazhdoi me pyetjet, derisa Gjoka e përjashtoi nga salla.
Nuk dihet nëse debati i javës së kaluar, është bërë shkak që Visha të mos jetë i pranishëm sot në sallë, ndërkohë që dosja Gërdeci dhe hetimet për çështjen zgjaten tashmë prej disa vitesh.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI