TIRANË- Shtyhet sërish gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen "Gërdeci". Në seancën e sotme, ekspertët që kanë kryer ekspertimin e dëmit financiar pas shpërthimit të Gërdecit kanë dhanë shpjegime përballë togave të zeza. Ata i dhanë përgjigje rreth 100 pyetjeve që ishin përgatitur nga Prokuroria e Posaçme dhe nga avokatët e Mediut. Por deri në një farë pike!
Sot u janë përgjigjur vetëm 30 pyetjeve, ndërsa në seancën e radhës që është caktuar që të mbahet më 18 shtator, do t'u përgjigjen të tjerave. Edhe sot, mbrojtja kërkoi një akt-ekspertimi të ri për dëmin ekomonik që është shkaktuar nga shpërthimi, kjo pasi sipas avokatëve të Mediut, ekspertët nuk kanë marrë parasysh një shkresë të kombinatit mekanik të Poliçanit, të vitit 2007, ku përllogariten kostot e demontimit të municioneve.
Por, pavarësisht kërkesave të tyre, togat e zeza i kanë rrëzuar pretendimet e avokatëve.
Pas përfundimit të gjyqit, Mediu mbajti një fjalë për mediat e pranishme, të cilën e ka kthyer në rutinë. Në fjalën e tij, Mediu pretendoi se gjyqi ndaj tij është një çështje politike.
“Nëse nuk respektohet Kushtetuta e vendit, në qoftë se nuk repektohet ligji, në qoftë se fillon një proces kur është i parashkruar, në qoftë se gjyqtarët marrin atributet e legjislatorit të shkruajnë ligjet, në vend që të zbatojnë e respektojnë ligjet, besoj padyshim nuk është çështje drejtësie. Kemi një drejtësi politike. Unë dua të them se ky është një proces që nuk ka bazë kushtetuese dhe jurdikie dhe përderisa nuk ka asnjërën nga këto të dyja nuk mund t’i vë emër tjetër,”-tha Mediu.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI