
TIRANË – Në gjyqin për “Gërdecin” kanë dëshmuar disa persona të tjerë, që kanë punuar në Gërdec dhe kanë pasur funksione të ndryshme. Inxhinierja Anila Gjergji, në dësminë e saj ka nxjerrë emrin e Shkëlzen Berishës. Ajo tha se në Ministrinë e Mbrojtjes ka ardhur një fax nga Ministria e Drejtësisë, që mbante emrin e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Inxhinierja: Erdhi një fax nga Ministria e Drejtësisë me emrin ‘Shkëlqen Berisha’
Në dëshminë e saj për çështjen e Gërdecit, inxhinierja Anila Gjergji ka deklaruar se nga Ministria e Drejtësisë ka ardhur një fax në Ministrinë e Mbrojtjes, që mbante emrin “Shkëlzen Berisha”. “Ne kishim disa fax-e, por numrat nuk më kujtohen. Kam bërë shënimin, kam vendosur numrin e protokollit, datën dhe firmën time. Fax-i nr. 622, datë 13/03/2007 dërguar nga Ministria e Drejtësisë për ministrinë e mbrojtjes. Shënimin me stilolaps për Shkëlzenin nuk e kam bërë unë, ashtu erdhi. Mendoj që ka ardhur me fax-in, por nuk më kujtohet.”- tha Gjergji.
Pas kësaj deklarate, ka ndërhyrë ish-ministri Fatmir Mediu. Ky i fundit ka pyetur nëse i ka thënë ministri që do priste një fax nga Shkëlzen Berisha. “A ju ka thënë ministri që ju do prisni fax-in *për Shkëlzenin, Sali Berishën etj. Ju ka marrë ministri në telefon, e keni takuar ministrin?”. Në lidhje me këto pyetje të Mediut, inxhinierja u përgjigj: “Jo”.
Në gjyq dëshmoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai. Ai ka deklaruar se procedurat janë bërë në një kohë të shkurtër, teksa MM ka ngritur një grup pune, për të kryer një VKM për demontimin.
‘Ndiqja zbatimin e detyrave, skam bërë ndonjë procedurë për Gërdecin kompania e demontimit na solli ofertën për procesin, kundrejt pagesës.Shtabi kërkonte licencim për këtë procedurë, beri një memo për këtë, me pas realizova takimin me kompaninë për metodologjinë e procedurat, nga MM dhe SHTABI. Ishte takim njohës, jo konkludues, mu bë një kërkesë që t’i drejtohesha ndërmarrjeve ushtarake, në një kohe të shkurtër erdhi përgjigja, u ngrit grupi i punës për analizën e situatës, me pas doli urdhri i ministrit për grupin e punës.
Nga drejtoria përkatëse mu tha se s’kishte baze ligjore dhe kërkohej një VKM, Mejko solli një memo, ku thuhej se duheshin demontuar municionet e viteve '50 te cilat nuk shiteshin për shkak te vitit te vjetër të prodhimit. Pas daljes se konkluzionit të grupit të punës, dolën çmimet për shitjen dhe demontimin. Nisi hartimi i një VKM.’- tha në dëshminë e tij, Mullai.
Ish-ushtaraku: Shoqërova një grup zyrtarësh amerikanë
Në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka dëshmuar edhe ish-ushtaraku Viktor Përshqeta. Ai ka thënë se ka qenë oficer armatimi dhe specialist municionesh për 27 vite. Ai deklaroi përpara gjyqtarëve, se pas një takimi që ka pasur me disa zyrtarë amerikanë, ka pasur debate mes shtetasit Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, për pikën 6, që kishte të bënte me kostot e transportit.
‘Jam emëruar 8 muaj përpara tragjedisë së Gërdecit. Me urdhër të eprorëve kam shoqëruar një grup zyrtarësh të kompanisë Cubic, amerikanë, të cilët do të bënin një inventarizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug. Më ka thirrur në lidhje me urdhrin 20-44, ma ka lexuar urdhrin Ilmi Laçaj, i cili e kishte përpiluar, pasi ishte praktikë pune. Ka patur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij për pikën 6 te urdhrit, që kishte të bënte me kostot e transportit. U tha, urdhrin e kërkon shefi, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.’- tha ai.
Pas kësaj deklarate ka ndërhyrë avokati i Mediut. Ky i fundit i ka thënë se përse thotë se shefi ka qenë Mediu. Ushtaraku iu përgjigj: “Në zhargonin e zyrës me ‘shef ose shef i madh’ nënkuptonim Ministrin e Mbrojtjes, sepse shefit të shtabit i drejtoheshim me ‘Gjeneral’.”
Çështja e Gërdecit u rihap pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes së një prej viktimave në tragjedi. Gjatë shpërthimit në Gërdec, humbën jetën 26 njerëz dhe u plagosën qindra të tjerë. SPAK ka argumentuar se pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ka pengesa për të hetuar Mediun./Zëri.ai/