Aktualitet

Goditi punonjësin e doganës së Kapshticës, pezullohet nga detyra efektivi i Policisë

Pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, Policia e Korçës njofton se efektivi është pezulluar tre ditë nga detyra e tij

I.F
Goditi punonjësin e doganës së Kapshticës, pezullohet nga
Foto ilustruese

KORÇË- Një qytetar denoncoi një incident në pikën doganore të Kapshticës, ku një oficer policie godet një punonjës të doganës. Videoja u publikua në “JOQ Albania”, ku denoncuesi pretendoi se personi në pamje, A.A është i njohur për sjelljen e tij arrogante. Pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, Policia e Korçës njofton se efektivi është pezulluar tre ditë nga detyra e tij, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin disiplinor.

Ndërsa, doganieri, i cili u godit nga oficeri i Policisë, nuk ka pranuar të bëj kallëzim.


“Në lidhje me një video të postuar në rrjetin social JOQ, ku shfaqet një oficer policie duke u konfliktuar me një punonjës të doganës, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ju sqarojmë se:

Ngjarja ka ndodhur më datën 06.01.2025, dhe menjëherë pas ngjarjes, në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, Komisar A. A, është pezulluar tre ditë nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin disiplinor.

Për të kryer një hetim sa më të plotë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar transferimin e menjëhershëm të këtij punonjësi nga Pika e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kapshticë. Sqarojmë se shtetasi L.M (doganier) me të cilin u konfliktua Shefi i Stacionit A.A, nuk ka pranuar të bëjë kallzim.

Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore”, njofton Policia. /ZËRI

Poll

MOS HUMB