
ITALI- Karabinierët italianë kanë arrestuar tre persona, duke i dhënë një tjetër goditje grupit që mbrojti Matteo Messina Denaron, gjatë kohës që ai i fshihej drejtësisë. Arkitekti Massimo Gentile dhe tekniku radiolog i spitalit Mazara del Vallo Cosimo Leone përfunduan në pranga, e bashkë me ta u prangos edhe Leonardo Gulotta. Sipas mediave italiane, që nga kapja e bosit më 16 janar 2023, 14 persona janë arrestuar të akuzuar se kanë ndihmuar bosin e mafias në kërkim, ndërsa 4 prej tyre tashmë janë dënuar.
Identitete të rreme
Me origjinë nga Campobello di Mazara, qyteti ku Messina Denaro kaloi vitet e tij të fundit në arrati, Gentile kishte ngulur rrënjë dhe kishte fituar një pozicion administrativ në komunë. I dyshuari është një i afërm i Salvatore Gentile, një vrasës me burgim të përjetshëm, bashkëshorti i të dashurës së Messina Denaro, Laura Bonafede. Sipas hetuesve, midis viteve 2007 dhe 2017, arkitekti i dha "borxh" disa herë identitetin e tij bosit të mafias, duke e lejuar atë të blinte një Fiat 500 dhe një motor BMW. Edhe Cosimo Leone, kunati i Gentile, akuzohet nga prokurorët se i kishte garantuar të ndjerit në nëntor 2020 një kontroll në spitalin "Mazara del Vallo". Leone operonte edhe si ndërmjetës i Denaros, me botën jashtë gjatë kohës kur ai ishte i shtruar në spital. Ndërsa Gulotta akuzohet se i ka vënë në dispozicion Messina Denaro numrin e tij të telefonit ndërmjet viteve 2007 dhe 2017.
"Për Messina Denaron, kujdes shëndetësor super efikas"
Bossi i mafias i kishte kryer të gjitha analizat në kohë rekord. Për 8 ditë, kishte kryer një vizitë onkologjike, ishte shtruar në spital dhe kishte kryer një operacion për të hequr kancerin e zorrës së trashë në nëntor 2020: Matteo Messina Denaro mundi të gëzonte një kujdes shëndetësor jashtëzakonisht efikas, ndërkohë që policia e kërkonte kudo.
Teksa ai ishte në spital, Leone njoftonte Andrea Bonafede. Mes të dyve ka pasur dhjetëra kontakte telefonike në ditët kur bosi i mafias ndodhej në spitalin e Mazara-s.
"Jeta normale e Messina Denaros mes blerjeve bankare dhe makinave"
Në nëntor 2014, kur ai ishte i arratisuri më i kërkuar nga policia në vend, Matteo Messina Denaro mundi të mbështetej në shumë burra të besuar, e madje shkoi personalisht te një tregtar makinash në Palermo për të blerë një Fiat 500 dhe më pas në bankë për hedhur çekun që do t'i dorëzohet shitësit. Bosi përdori një kartë identiteti të rreme në emër të arkitektit Massimo Gentile. Në shtëpinë e tij u gjet një shënim me shkrimin "10 mijë + 500 për Margot". Margot ishte pseudonimi që Messina Denaro përdorte për makinat e tij.
Matteo Messina Denaro, konsideruar si një nga bosët më të mëdhenj në Itali, që ishte në kërkim prej kohësh, u arrestua nga autoritetet italiane. Ai vdiq në burg, pasi vuante nga kanceri i zorrës së trashë./ZËRI