TIRANE- Në pak më shumë se një ditë u zhvillua një platformë online e dedikuar për raportimin e zaptimit të paligjshëm të hapësirave publike, dhe reagimi i qytetarëve shqiptarë ka qenë i menjëhershëm. Kryeministri Edi Rama prezantoi portalin “Hapësira ime Publike”, një mjet digjital që synon të ndihmojë qytetarët të dokumentojnë rastet e shkeljeve dhe të nxisë reagimin e shpejtë të institucioneve përkatëse.
ZËRI vëzhgoi denoncimet në këtë platformë të re, ku rezulton se 3300 denoncime janë dërguar nga përdorues brenda 48 orëve të para, me disa prej tyre që kanë marrë zgjidhje të menjëhershme, ndërkohë që shumë të tjera janë ende në proces trajtimi.

Megjithëse lokacionet e sakta të këtyre raportimeve nuk janë të detajuara në portal, harta e përfshirë tregon se problematika shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Kjo iniciativë shfaqet në një kohë kur aksionet për çlirimin e hapësirave publike janë në faza intensive, ndërsa sipas Ramës, kjo punë do të vazhdojë për një periudhë të gjatë.
Portalit i janë shtuar disa kategori ku mund të raportohen: zaptimi i trotuareve, ndërtimet pa leje, parkingjet ilegale, zaptimet në rrugët kryesore, kantieret e ndërtimit dhe ndotja fizike apo akustike e hapësirës publike. Në rast se përgjigjia nga institucionet nuk vjen brenda 24 orëve, qytetarët mund të plotësojnë një formular ankesë për të kërkuar veprime të mëtejshme.
Raportimi në portal bëhet në tre faza: fillimisht, përshkruhet ngjarja, përzgjidhet kategoria përkatëse, bashkia dhe data. Më pas, kërkohet informacioni i denoncuesit, ku ai mund të identifikohet përmes sistemit e-Albania ose të zgjedhë të mbetet anonim. Së fundmi, mund të ngarkohen dëshmi si fotografi ose video që mbështesin ankesën./ZËRI