
TIRANË- Nuk dua ta shoh më me sy”, kjo është deklarata e fortë e Fran Mjacajt, babait të Sokol Mjacajt, i cili mesditën e 15 dhjetorit ekzekutoi me armë zjarri brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin Arben Lleshin. Fran Mjacaj shprehet se ndihet i shokuar nga ngjarja dhe se nuk e ka takuar të birin prej vitesh, pasi ka qenë i sëmurë, ndërsa shprehet se vëllai i tij e ka takuar dhe ndihmuar. Po ashtu, babai i Sokol Mjacajt thotë se as ai dhe as djali tjetër nuk kanë pasur asnjëherë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm në burg. Në fund Fran Mjacaj shoprehet I keqardhur dhe për arrestimin e punonjësve të burgut. Në dëshminë e dhënë për Klan News, Mjacaj shprehet se dhe për shkak të moshës tashmë është i degraduar dhe nuk do të dëgjojë asgjë për të birin. I moshuari jeton vetëm pasi djali tjetër i tij është larguar në emigrim, ndërsa gruaja (nëna e Sokol Mjacaj) ka ndërruar jetë.
Dëshmia e Fran Mjacajt:
Unë e kam taku vetëm kur ishte në kampin (burgun) e Shënkollit, as kur ishte në Krujë nuk kam shku se nuk kam pas mundësi se jam i sëmurë. I vëllai e ka takuar dhe e ka ndihmu boll. Pas kësaj ngjarje, nuk më bahet as me fjet, as me u zgju, as me pa Sokolin dhe as me pa askënd. Jam prish në zemër, mosha bën të veten, jam degraduar komplet.
Çfarë duhet me ba unë, çfarë detyrimesh kam. Për ngjarjen jena mërzit shumë shumë, jena ba me vra vedin, asht punë e panevojshme për mendimin tem, asht shumë e rëndë. Nuk asht dakord askush, nuk e dimë pse, për çfarë motivesh, për çfarë nuk di ça me thanë ato punë i dinë vetë, se ça kanë brenda për brenda e dinë vetë. Ne si familje, unë bashkë me djalë nuk kemi dit se ku është, e a ka patur sherr me njeri, për kështu punësh absolutisht në botë. Për Sokolin unë nuk e di se nga ka dalë mendsh vetëm at punë s’ka pas pse e ban, dhe si mund të jetë fut aty brenda e dinë ata. Ne nuk e mendonim kurrë se Sokoli ban ashtu punësh.
Më ka ardh keq për njerëzit e shtetit, më vjen keq se asht marrë dikush në qafë, nuk e kanë me borxh për poshtërsirat që mund të bajnë të dënuarit. Më vjen shumë keq për personelin e atyne që kanë shërbyer në kamp si ushtarak, me u ndodh fatkeqësi se me kanë thanë se janë shkarku disa njerëz në kampin e Peqinit.
Çfarë ndodhi në Peqin?
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015./ZËRI