TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e eurodeputetit Fredi Beleri për shpallje të pafajësisë, lidhur me dënimin me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhjet e vitit 2023. Gjithashtu, gjykata rrëzoi edhe kërkesën për pafajësi të bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokaveshi, i cili ishte dënuar me shërbim prove.
Beleri kishte apeluar gjithashtu edhe në Kushtetuese, e cila e rrëzoi padinë, duke lënë në fuqi vendimet dhe dënimin e mëparshëm. Më 10 mars 2026, Kushtetuesja vendosi të mos e kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare.
Fredi Beleri u dënua me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota.
Ai u arrestua më 12 maj 2023, por edhe pse nga qelia, arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit. Por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij. Edhe pse kurrë nuk u lejua të betohej si kryebashkiak, Atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë./ZËRI
