
MAL I ZI- Ambasada shqiptare në Mal të Zi ka deklaruar se tre shqiptarët e dhunuar në mënyrë barbare këtë mesditë janë marrë në mbrojtje dhe po i ofrohet çdo shërbim i nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada shqiptare shkruan se shqiptarët kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze.
Postimi:
Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi po ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi. Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor. Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve. Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së sotme në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, kur Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi po udhëtonin drejt Gjermanisë. Shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, pasi i kanë dëgjuar se flisnin shqip.