TIRANË- Një automjet luksoz, tip "Range Rover" është grabitur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Mjeti ishte parkuar pranë pranë stadiumit "Arena Kombëtare", ku një person i maskuar si lypës, ka hyrë brenda dhe e ka marrë. Ishte pronari i mjetit, ai që njoftoi Policinë sapo konstatoi grabitjen, duke nisur edhe kontrollin në terren të Policisë Rrugore.
Mjeti u gjet në Kamëz, duke lëvizur në drejtim të Fushë Krujës, ndërsa në pranga përfundoi Adrian Hamalli, personi që shihni në foton e mëposhtme.
Tanimë mbetet që i moshuari Hamalli të flasë para efektivëve të Policisë së Shtetit për të treguar se çfarë do të bëhej me mjetin e grabitur. Zona ku duket se ishte "porositur" ishte Fushë Kruja, e njohur për kriminalitetin dhe bandat që operojnë. Ndaj ka edhe dyshime se mjeti ishte grabitur për t'u "zhdukur" nga qarkullimi për disa muaj, e më pas do të përdorej për ngjarje kriminale. Zakonisht makina të tilla, të vjedhura, pasi përdoren për vrasje, braktisen disa kilometra larg vendit të ngjarjes dhe më pas u vendoset flaka. Megjithatë hetimet do të zbulojnë se për kë ishte mjeti dhe kush e "infiltroi" të moshuarin si grabitës./ZËRI