Aktualitet

Atentati ndaj Vajdin Lames, maqedonasi i dyshuar për minën shkon sërish në SPAK

Një ditë më parë avokatët e Shullazit e cilësuan të dyshimtë mënyrën se si ai kishte mbërritur në Prokurorinë e Posaçme

E.K
Atentati ndaj Vajdin Lames, maqedonasi i dyshuar për minën shkon
Joshko Cervenkovski duke dale nga SPAK

TIRANË- Joshko Çervenkovski, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, për të cilin bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi ka deklaruar se ka qenë montues i minës që i mori jetën biznesmenit Vajdin Lame e Artan Arsit, rikthehet sërish në SPAK për t'u marrë në pyetje. Këtë të mërkurë ai ka qenë sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ndërkohë që një ditë më parë ishte i pranishëm në seancën ndaj Emiljano Shullazit dhe të dyshuarve të tjerë për atentatin.

Çervenkovski është ndaluar të hënën në Rinas, pasi ishte kërkuar nga nga Prokuroria e Posaçme si dhe nga avokatët e të pandehurve të pyetej në cilësinë e dëshmitarit, madje i ishte dërguar edhe letërporosi, por ai nuk ishte paraqitur.

Të martën ai nuk u lejua të dëshmonte pasi avokatët e Shullazit pretenduan se e kanë kërkuar të pyetet me letërporosi duke e cilësuar të dyshimtë rrethanat në të cilat u paraqit në gjykatë.

Pas vendimit për shtyrjen e seancës, Çervenkovski ngjiti shkallët e SPAK për t'u pyetur të martën, teksa ai u rikthye sërish këtë të mërkurë në prokurori. Kjo e fundit nuk ka një koment mbi rrethanat dhe cilësinë në të cilën e ka pyetur, teksa maqedonasi u largua me një automjet me targa të vendit të tij, nga ambientet e SPAK.

Çfarë rrëfeu Luftar Reçi?

Luftar Reçi u zbërthye në dhjetor të vitit 2020 dhe tregoi me detaje para prokurorit të SPAK, mënyrën sesi ka ndihmuar bandën e Durrësit për të realizuar një minë me telekomandë që është përdorur për të ekzekutuar biznesmenin Vajdin Lamaj, ngjarje e ndodhur më 27 shkurt 2005. Reçi tregonte se minën e ka gjetur përmes njohjeve të tij.

“…Kujtoj se ka qenë muaji shkurt i vitit 2005, besoj nga mesi i muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha. Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët. Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje se më kishte treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se Joshko më kishte përgatitu minat për ngjarjen e Dibrës dhe për këtë arsye më kërkoi një minë për veten e tij.

Për të përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im, i cili është vrarë në vitin 2002.  Për këtë minë kam paguar 1600 euro. Rreth orës 10-11 të darkës kanë ardhur tek piceria në Durrës J… dhe pas tij A.Z… Në prezencën time, të Lulit, Plarentit, Indritit dhe J… A… ka dorëzuar një pako me lëndë plasëse në një qese plastmasi ku ishin 6 ose 8 tubete me dinamit.

Pas pak kohe, Luli, Lenti, Indriti, J… dhe unë shkuam tek shtëpia e motrës së Lulit që quhej J… ishte një shtëpi trekatëshe, me shkallë nga jashtë, në oborrin e saj ishte parkuar një makinë BMË x5, me ngjyrë të zezë, me lëkurë të verdhë nga brenda. në kat të parë të kësaj banese kishte një garazh ku u futëm të gjithë ne që do të përgatisnim lëndën plasëse për të cilën nuk e dija për çfarë do të përdorej.”-thotë ai, duke pretenduar se nuk e dinte për çfarë do të përdorej tritoli.”-thotë ai. 

Më tej, Luftar Reçi shpjegon se si minën me telekomandë e montuan në garazhin e shtëpisë së motrës së Lulzim Berishës dhe më pas e montuan në derën e një golfi, brenda një bidoni me coca-cola. 

“U futëm në garazhin e shtëpisë së J… të gjithë së bashku, i kemi dhënë J… dinamitin dhe e kemi pyetur se çfarë të duhej tjetër për ta përgatitur. J… na tha se dua dy telefona celularë të ri dhe 2 karta telefoni. Duke qenë se ishte shumë vonë, rreth orës 23:24:00, Indriti ka telefonuar C…, një ushtar të tyre i cili bënte shërbime për Lulin dhe Indrititn dhe i kanë thënë a e ke numrin e telefonit të një dyqani që shiste telefona celular, person të cilin këta e kishin të njohur. Indriti i tha fol në telefon dhe shkoni bashkë tek dyqani i tij dhe merr dy telefona celularë të mirë, të ri se i kam për dy shoqe, të ketë edhe kartë shoqëruese.

Kartat e celularit ishin vodafone dhe aparatet mesa mbaj mend ishin “Siemens”, të rinj të papërdorur. Këta telefona ishin me përmasa jo të mëdha, nuk e kujtoj ngjyrën por kanë pasur një shirit anash në ngjyrë floriri. Mesa kujtoj këta telefona ishin të paketuar në kartona dhe me karikuesa me vete. Gjatë kësaj kohe u dhanë disa mendime se për çfarë do të duhej kjo minë me telefomandë dhe Indriti më tha se këtë tritol do e përdorim për ta vendosur në një makinë dhe ajo makina do të vendoset në një makinë dhe ajo makina do të vendoset afër një makine tjetër që do e shpërthejmë.

Pasi C… solli telefonat Siemes dhe dy karta vodafoni, ja dhamë J…, i cili në praninë tonë nisi të përgatiste minën plasëse. Në garazhd ishte dhe një makinë tip Volsvagen Gold 3, me ngjyrë gri dhe targa gjermane. U hap golfi dhe tek dera e shoferit u bë çmontimi i derës nga brenda dhe u mbush me copa hekuri të vogla metalike të cilat do i jepnin forcë dhe të shpërndaheshin pas shpërthimit. Tani më kujtohet që dinamiti ishte futur në një bidon Coca-Cola bosh, 1.5 lt me qëllim që të ishte i sigurtë se ku dot ë vendosej,”- rrëfen Luftar Reçi.

Dëshmia e Luftar Reçit zbardhi ekzekutimin e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt dhe me organizimin e operacionit “Asgjë nuk harrohet“, u ekzekutuan urdhër-arrestet janë ekzekutuar për Emiljano Shullazin, Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin. Ndërsa Lul Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj ia kanë dalë të arratisen jashtë vendit./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB