Aktualitet

I përfshirë në trafik droge, GJKKO shpall fajtor dhe dënon me 8 vite burg Shkëlzen Dacin

Fillimisht ndaj tij u dha një dënim me 12 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet me 1/3 masa e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite.

zh.ll
I përfshirë në trafik droge, GJKKO shpall fajtor dhe dënon
gjkko

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dënuar me 8 vite burg Shkëlzen Dacin, i cili akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Fillimisht ndaj tij u dha një dënim me 12 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet me 1/3 masa e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite. Daci u arrestua në korrik të vitit 2021, në kuadër të operacionit "Shpirti", ku në pranga ranë 28 persona. 

Njoftimi i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e ҫështjes penale që i përket procedimit penal nr. 36/2 të vitit 2019 (238 të vitit 2017), me të pandehur Shkëlzen Daci, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Alfred Konomi, Sokol Pasho dhe Migena Laska, me vendimin Nr. 60, datë 29.09.2025 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Shkëlzen Daci për kryerjen e veprës penale të “Trafikim i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 283/a/1,28/4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 12(dymbëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Shkëlzen Daci për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve të dhëna, i pandehuri Shkëlzen Daci dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.

4. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masë së dënimit të dhënë dhe në përfundim dënimin e të pandehurit Shkëlzen Daci me 8 (tetë) vite burgim.

5. Në aplikim të Nenit 14 të ligjit Nr.8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosur” i ndryshuar i pandehuri Shkëlzen Daci ta vuajë dënimit në burgun e sigurisë së lartë.

6. Shpenzimet proceduriale i ngarkohen të pandehurit.

7. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ekzekutimin e këtij vendimi.

8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brënda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

Operacioni “Shpirti” u zhvillua në vitin 2021, ku janë goditur disa grupe kriminale. Hetimi i karabinierëve çoi në pranga 38 persona. Policia italiane sekuestroi një pasuri me vlerë 4 milionë euro.

Katër bashkëpunëtorë të drejtësisë rrëfyen përpara gjykatës italiane trafikun e drogës që kryhej nga Shqipëria në Itali.

Ata thanë se “kokë e grupit” ishte Ilirjan Duçellari. Mes të arrestuarve kishte policë, por ishin edhe dy shoqëruesit e Saimir Tahirit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku./ZËRI

Poll

MOS HUMB