
SHKODËR- Është zbardhur dëshmia e gjyqtarit të gjykatës së Shkodrës, Tonin Stërkaj, të cili iu vendosi një sasi eksplozivi në banesë. Ai ka rrëfyer përpara autoriteteve se ka qenë në banesë me bashkëshorten në momentin që ka ndpdhur shpërthimi, por nuk e ka kuptuar që bëhej fjalë për shtëpinë e tij. Stërkaj ka thënë se ka dalë në ballkon për të parë dhe se një fqinjë i ka treguar se shpërthimi kishte ndodhur në banesën e tij.
“Kur kam dëgjuar shpërthimin, isha në banesë së bashku me gruan. Për shkak të shpërthimit të fuqishëm, kemi dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur, por s’kishim kuptuar se ky shpërthim ishte aktivizuar në banesën tonë. Nuk kam dijeni se kush e ka bërë, unë jam gjyqtar dhe kam çështje penale çdo ditë në gjykim”, mësohet të ketë thënë ai.
Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër. Dy vite, ai ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Deri më tani, tre persona janë shoqëruar që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe autorët.