
TIRANË- Ministria e Brendshme ka vendosur të krijojë një zyrë për rikuperimin e aseteve që kanë origjinë nga krimi apo nga aktiviteti i paligjshëm. Sipas një projektligji, i cili është hedhur për konsultim publik, zbulohet se Ministria përmes zyrës së re të krijuar do të marrë përsipër që të skanojë pasurinë e personave që kanë probleme me ligjin.
Sipas "TvKlan", në projektligj parashikohet se pas identifikimit të këtyre pasurive ato mund t’i nënshtrohen ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit nga organet kompetente. Por ka edhe një detaj tjetër. Në këtë aksion do të përfshihen edhe paratë e thata, letrat me vlerë dhe pasuritë e patundshme. Por territori i Shqipërisë, nuk do të jetë limiti i këtyre 'agjentëve', pasi kanë të drejtë edhe të operojnë edhe jashtë Shqipërisë.
Por do të varet nga marrëveshjet që ka shteti shqiptar me vendet ku qëndrojnë subjektet që do i nënshtrohen kontrolleve. E gjithë struktura, do të mbikqyret nga Policia e Shtetit, institucion që do të mund të emërojë dhe shkarkojë kreun e Zyrës për Rikuperimin e Aseteve./ZËRI