Aktualitet

Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Apeli kthen për rigjykim çështjen e Kristjan Boçit e 6 të tjerëve

Sot, Apeli ka prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës, me pretendimin se vendimi i dhënë është i paarsyetuar.

k.m.
Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Apeli kthen për rigjykim
Kristian Boçi

TIRANË- Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka kthyer për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, por me një tjetër trupë gjykuese çështjen e Kristian Boçit dhe të 6 personave të tjerë që u është sekuestruar pasuria prej 50 milionë eurosh. Sot, Apeli ka prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës, me pretendimin se vendimi i dhënë është i paarsyetuar. Po ashtu, sipas Gjykatës së Apelit, në këtë çështje, ngatërrohet ligji "antimafia" dhe Kodi i Procedurës Penale.

Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës sekuestroi 50 mln euro pasuri, të cilat ishin në emër të biznesmenëve kontrovers, Elman Abule dhe Kristian Boçi e familjarëve të tyre. Sipas prokurorisë, Abule dhe Boçi janë dënuar në Belgjikë për trafikimin e lëndëve narkotike, dhe bizneset në Shqipëri janë përfituar përmes skemës së pastrimit të parave, pjesë e të cilës janë edhe familjarë të tyre. Nën sekuestro janë vënë 14 shoqëri tregtare dhe dy HEC-e, ndërkohë që Boçi pretendon se nuk është përfshirë në asnjë aktivitet kriminal në Shqipëri./ZËRI

Njoftimi i plotë:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë Hetimore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është referuar materiali kallëzues për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit me iniciale E. A.Në vijim të veprimeve procedurale Prokuroria, referuar nenit 274 e vijues të K.Pr.Penale i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me kërkesën me objekt: -Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 7 (shtatë) shoqëritë tregtare, me administaror shtetasin me iniciale E. A; - Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 8 (tetë) pasuritë e shoqërisë “F……” sh.p.k; - Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 2 (dy) shoqëritë tregtare, të regjsitruara në emër të shtetases me iniciale M. N.; - Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 1 (një) shoqëri tregtare, të regjsitruara në emër të shtetasit me iniciale V. A.; - Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 5 (pesë) shoqërtë tregtare, të regjsitruara në emër të shtetasit me iniciale K. B.; - Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 8 (tetë) pasuritë e regjsitruara në emër të shtetasit me iniciale K. B.; - Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 3 (tre) pasuritë e regjsitruara në emër të shtetasve me iniciale E. A dhe M. N.; - Vendosja e masës së sigurimit pasuror "sekuestro preventive" ndaj llogarive bankare të subjekteve, pranë bankave të nivelit të dytë si më poshtë:
- Shtetasve me iniciale E. A, M. N, K. B, D. B, E. B, E. B dhe V. A si dhe 14 (katërmbëdhjetë) shoqërive tregtare.

Në përfundim, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin datë 27.06.2024, ka vendosur: 1. Pranimin e kërkesës sipas objektit. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra nga shtetasit me iniciale E. A, M. N, K. B, D. B, E. B, E. B dhe V. A, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kërkesës të masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”.

Në përfundim të gjykimit, përfaqësuesit ligjor të shtetasve me iniciale E. A, M. N, K. B, D. B, E. B, E. B dhe V. A, kërkuan: - Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë dhe rrëzimin e kërkesës të masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”. Prokurorja e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj.Arta Marku, kërkoi: - Prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues, pasi vendimi është i paarsyetuar dhe konfondohet midis Ligjit Antimafia dhe Kodit të Procedurës Penale.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 30.07.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Miranda Andoni, vendosi: - Prishjen e vendimit datë 27.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim ne po atë gjykatë me tjetër përbërje të trupit gjykues./ZËRI

Poll

MOS HUMB