BOLONJA- Më shumë se 100 karabinierë u përfshinë në një aksionpër ekzekutimin e 14 masave sigurie, 9 prej të cilave ishin për "arrest me burg". Pjesë e grupit të trafikimit të lëndëve narkotike ishin 9 shqiptarë, 3 italianë e 2 rumunë, por mediat italiane nuk i kanë bërë me dije emrat e personave që janë vendosur në pranga. Grupi merrej me shitjen me shumicë të lëndës narkotike të sjellë nga Shqipëria.
Organizata kriminale drejtohej nga një 40-vjeçar shqiptar, i cili ishte përgjegjës për trafikun e kokainës në zonën e Bolonjës. Duke u bazuar në hetimet që zgjatën më shumë se 2 vite, në Bolonjë u trafikua më shumë se 70 kilogramë kokainë, e cila kishte vlerën totale prej 2 milionë eurosh. Po ashtu, u zbulua edhe një rrjet prostitucione, gjithashtu i drejtuar nga anëtarët e grupit.
Hetimet nisën tre vite më parë nga Karabinierët e Kompanisë Qendrore të Bolonjës ndaj subjekteve që vepronin në Bolonja dhe pothuajse të gjithë kishin precedentë penalë. Po nga hetimet, rezulton se kokaina prodhohet edhe në zona të paarritshme të Shqipërisë së Jugut, por hetimet vazhdojnë për të zbuluar të gjithë kanalet e furnizimt të grupit. Pasi kalonte në Itali, lënda narkotike ruhej në një garazh në periferi të Bolonjës dhe transportohej në makina me fund të dyfishtë. Sa i përket parave, ato dërgoheshin me autobus në Pulia, ngarkoheshin në tragete për në Shqipëri dhe më pas ktheheshin sërish në Itali, por me një diferencë...kësaj here ishin të pastruara.
Gjatë aksionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, grupit i janë sekuestruar edhe 7 mjete, 4 banesa dhe 11 llogari bankare me 2 milionë euro, para që mendohet se janë të ardhura nga droga./ZËRI