
TIRANË - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe Egjipt, deklaron se po vijon përpjekjet, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë në vështirësi, për shkak të gjendjes së luftës në Izrael.
MEPJ, pas disa intervistave në media, përmes ambasadës në Egjipt, ka rënë në kontakt me disa shqiptarë, që duan të largohen nga Rripi i Gazës.
Ministria e Jashtme thotë se shqiptarët kanë thënë vetëm 48 orë më parë, se jetojnë në Gaza.
Pas kontaktit me shtetasit shqiptarë në Gaza, Ministria e Jashtme është në komunikim të vazhdueshëm, me përfaqësitë e saj në Egjipt dhe Izrael.
MEPJ deklaron se është në kontakt edhe me organizata ndërkombëtare, me qëllim që këta të fundit të ofrojnë ndihmë për lehtësim të nxjerrjes së shqiptarëve nga Rripi i Gazës.
Më 8 tetor, në Shqipëri mbërriti avioni i parë me shqiptarë, që u larguan nga Izraeli, për shkak të luftës atje.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1300 persona. Izraeli u përgjigj, duke vrarë mbi 1700 njerëz. Tel Avivi po ndërmerr një operacion tokësor në Gaza. /Zëri.ai/