
KORÇË- Dy persona, Aleks Hyko dhe Bardhosh Hyko, bashkëpunëtorët e Spartak Çelës, i akuzuar për kanosje ndaj drejtuesit të mjetit të një grupi Task Force që kishte shkuar për kontroll të familjeve me ndihmë ekonomike në fshatrat e njësisë administrative Velcan të Bashkisë së Pogradecit, janë vënë në pranga. Të dy akuzohen se kanë ndihmuar Çelën me një mjet për largimin e tij nga vendi i ngjarjes në fshatin Buzaishtë të Pogradecit.
Çfarë ndodhi një ditë më parë?
Spartak Çela, një person me precedent penalë, i shpallur në kërkim prej dy vitesh ngaPolicia e Shtetit u përplas një ditë më parë me shoferin e një grupi task force që kishte shkuar nga Tirana për kontroll të familjeve me ndihmë ekonomike në fshatrat e njësisë administrative Velcan të Bashkisë së Pogradecit. Spartak Çela nën kërcënimin e armës i ka kërkuar shtetasit V.I 54 vjeç ti dorëzojë dy celularet dhe orën e dorës, gjë e cila nuk është pranuar nga drejtuesi i mjetit të Task Forcës. Çela prej dy vitesh fshihet në zonën e Velcanit. Ai ishte shpallur në kërkim si i akuzuar për vrasjen me dashje të mbetur në tentative, por tashmë i shtohet dhe një tjetër akuzë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit A. H., 40 vjeç dhe B. H., 38 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë. Nga veprimet hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Buzaishtë, dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë larguar me automjet nga vendi i ngjarjes, autorin e dyshuar, shtetasin S. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec. 39 vjeçari pasi u konfliktua me shtetasin V. I., 54 vjeç, banues në Tiranë, në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka tentuar t’i marrë atij, dy celularë dhe një orë dore. Vijon puna për kapjen e shtetasit S. Ç. dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.