
TIRANË- Policia e Tiranës ka goditur një grup grabitësish që ishin kthyer në tmerrin e kryeqytetit. 2 të rinj, 18 dhe 20-vjeç që janë identifikuar vetëm me inicale U.G. dhe S.S., ishin të përfshirë në grabitjen e sendeve me vlerë të grave kalimtare. Më pas, dy të rinjtë i shisnin bizhuteritë tek pronari i një dyqani. Ndaj Policia ka vendosur në pranga edhe pronarin e dyqanit R. H., 38 vjeç, nën akuzat e vjedhjes me dhunë dhe të përvetësimit të mallrave të vjedhura.
Grupi është zbuluar pas një denoncimi që ka bërë një grua, të cilës i kishin këputur varësen nga qafa. Kështu, po hetohet nëse grupi është i implikuar në krime të tjera të ngjashme në kryeqytet dhe jo vetëm.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3: •arrestuan në flagrancë shtetasit U. G., 18 vjeç, S. S., 20 vjeç, dhe R. H., 38 vjeç, pasi shtetasit U. G. dhe S. S., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë këputur nga qafa varësen e floririt një shtetaseje dhe më pas e kanë shitur në dyqanin e shtetasit R. H.