
SHBA- Gjashtë gra do të bëjnë histori sot duke marrë pjesë në misionin e parë në hapësirë. Misioni drejtohet nga krijuesja e programit dhe e fejuara e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, Lauren Sanchez , e cila përzgjodhi personalisht ekuipazhin e misionit "Blue Origin".
Pjesë e ekuipazhit janë: Katy Perry: ylli i popit botëror; Amanda Nguyen: një aktiviste për të drejtat civile; Gayle King: personazh televiziv dhe gazetare; Aisha Bowe: ish shkencëtare raketore e NASA-s; Kerianne Flynn: producente filmi dhe vetë Lauren Sanchez, e fejuara e Jeff Bezos. Të gjithë "udhëtarët" në fluturimin e sotëm kanë arsye të ndryshme pse duan të shkojnë. Për shumë njerëz, ka të bëjë me ndryshimin e këndvështrimeve.

Regjisorja Kerianne Flynn thotë se dëshiron të sfidojë perceptimin se “nënat nuk shkojnë në hapësirë” – diçka që një nga shokët e klasës i tha djalit të saj kur ai u dha lajmin. Aktivistja për të drejtat civile Amanda Nguyen do të nderojë nënën e saj, e cila përdori yjet për të lundruar në oqean. Edhe motivimi i Katy Perry-t është po aq afër shtëpisë.
"Unë po fluturoj për vajzën time, Daisy për ta frymëzuar atë që të mos ketë kurrë kufizime në ëndrrat e saj dhe t'i tregoj asaj se çdo lloj personi mund t'i arrijë ëndrrat – pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike, situatës ekonomike apo nivelit arsimor. Ajo është një ëndërrimtare e madhe edhe pse është vetëm katër vjeç,”-tha ajo për "Elle Magazine".

Kjo është skuadra e parë hapësinore e përbërë nga gratë në më shumë se 60 vjet. Valentina Tereshkova u bë gruaja e parë që shkoi në hapësirë në 1963. Si pjesë e një misioni solo sovjetik në hapësirë, Tereshkova - në atë kohë 26 vjeç - orbitoi Tokën 48 herë gjatë ekspeditës së saj gati tre-ditore.
Kompania që qëndron pas lançimit të sotëm, Blue Origin, është në pronësi të miliarderit Jeff Bezos. Për misionet në hapsirë, kompania ka krijuar 2 raketa, New Shepard dhe Neë Glenn. Blue Origin mbështet veten në ripërdorimin për të ulur koston e aksesit në hapësirë - dhe të dyja anijet kozmike janë me të vërtetë të ripërdorshme./ZËRI