
TEHERAN- Presidenti i Iranit, Massoud Pezheskian siguroi sot se Teherani nuk kërkon luftë, por u zotua të japë një "përgjigje të duhur" ndaj sulmeve izraelite.
"Ne nuk kërkojmë luftë, por do të mbrojmë të drejtat e kombit dhe vendit tonë. Ne do t'i japim përgjigjen e duhur agresionit të regjimit sionist,"-i tha Pezeskian kabinetit.
Pezheskian ia atribuoi rritjen e tensioneve në rajon "agresivitetit" të Izraelit dhe mbështetjes së SHBA.
“Nëse sulmet e regjimit sionist dhe krimet e tij vazhdojnë, tensionet do të përkeqësohen,”- parashikoi ai. Pezheskian shtoi se SHBA premtoi se do t'i jepte fund luftës, por nuk e mbajtën 'premtimin'.
Edhe udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Khamenei tha sot e sulmet ajrore të Izraelit në Iran nuk duhet të nënvlerësohen. Kjo u pasua nga deklarata edhe më alarmante e ministrit të Jashtëm iranian, Sayed Abbas Araghchi, i cili në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së deklaroi se Irani rezervon të drejtën t'i përgjigjet "sulmit kriminal" të Izraelit.
Në veçanti, në letrën që i dërgoi sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe presidentit të Këshillit të Sigurimit, ministri i jashtëm i Iranit kërkoi "një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për të marrë një qëndrim vendimtar dhe për të dënuar sulmin".
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet urgjentisht nesër për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme me kërkesë të Iranit. Takimi do të fillojë në orën 15:00 me orën e Nju Jorkut, pasi kërkesa e Teheranit u mbështet nga Algjeria, Kina dhe Rusia./ZËRI