
DURRËS- Përplasja me armë për pronat në Kepin e Rodonit, është kronika e një ngjarje të paralajmëruar, ku si pasojë e zvarritjes së çështjes nëpër gjykata, palët në konflikt kanë tentuar ta zgjidhin përmes vetëgjyqësisë. Prej më shumë se një viti, hyrja për në Kepin e Rodonit është e lejuar vetëm kundrejt pagesës, ndërkohë që një pjesë e mirë e sipërfaqes së pyllit, por edhe zonës ku është e vendosur kisha e vjetër dhe e re është e rrethuar nga një kompani private.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në hyrje të zonës së rrethuar, ku është vendosur dhe trau, ka një konflikt për një sipërfaqe toke rreth 5 mijë metra katrorë, ku dy palë pretendojnë pronësinë, nga njëra anë qëndron shtetasi Bajram Koculi, nga fshati Shetaj, dhe në anën tjetër përfaqësues që pretendojnë se i përkasin kishës Françeskane, me në krye vetë ish-deputetin Mark Frroku dhe persona të afërt të lidhur me të. Në një episod të emisionit Fiks Fare, të dyja palët kanë pretenduar se kanë certifikatë pronësie për pronën në fjalë.

Në 2 Tetor të këtij viti, pas përplasjeve të vazhdueshme mes palëve në terren, ku përfaqësuesit e Kishës Françeskane kishin bërë rrethimin e tokës, IMT e Durrësit vendosi pezullimin e punimeve në këtë truall, deri në një sqarim të plotë të rrethanave të pronësisë.
Megjithatë në terren ka vijuar puna nga Frroku dhe personat e tjerë të lidhur me të, që ka çuar dje në përplasje fizike dhe në përdorimin e armëve. Koculi dhe persona të tij të afërm, kanë shkuar dhe janë përplasur fizikisht me Frrokun dhe njerëz të tij, ndërkohë që shoferi i ish-deputetit Besnik Toma ka qëlluar me armë.
Vetë Kisha Katolike, është distancuar, ndonëse për pronën për të cilën bëhet fjalë konflikti është mes Kishës Françeskane dhe banorëve të zonës, duke deklaruar se Frroku dhe personat e lidhur me të po kryejnë punime të paligjshme në sipërfaqen për të cilën ka përplasje.
Përfaqësues të Kishës deklaruan për A2: "Disa persona me një autorizim nga Provinca Françeskane e Shkodrës kanë gjetur pretekst për të hyrë si “vëzhgues” roje të pronës, për ta ruajtur nga dëmtimet, por realisht po kryejnë punime të paligjshme dhe pa asnjë autorizim nga askush (edhe pa asnjë leje) dhe po rrethojnë tokën e z. Bajram Kaçuli, që e ka me certifikatë të rregullt pronësie".
Nuk dihet nëse kjo deklaratë lidhet me ndonjë përplasje mes vetë institucioneve fetare, pasi në njërën anë Frroku pretendon se po mbron pronat e Kishës Franceskane (degëzim i Kishës Katolike), dhe në anën tjetër Kisha Katolike e akuzon atë për ndërtime të paligjshme.
Sipas burimeve rreth 70% e pronave të Kishës Françeskane janë bllokuar nga SPAK në Kadastër, pasi ka dyshime për mënyrën sesi certifikatat e pronësisë janë dhënë.
/Zëri.ai