Aktualitet

Kokaina në Xibrakë/ Gjykata e Lartë “refuzon” Ermal Hoxhën, s`pranohet rekursi

Gjyqtari ka vendosur që të mos e pranojnë rekursin duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. 

k.m.
Kokaina në Xibrakë/ Gjykata e Lartë “refuzon” Ermal
Ermal Hoxha

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e tre të akuzuarve të dosjes së njohur me emrin “Xibraka”, mes tyre edhe të nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermalit. Bashkë me 4 të akuzuarit e tjerë, Hoxha kërkon prishjen e vendimit të dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda që e shpalli fajtor për trafik droge. Por, sipas "ReportTV", rekursi i vendimit të Apelit është rrëzuar nga trupa e Këshillimit e kryesuar nga relatori Sokol Binaj. Gjyqtari ka vendosur që të mos e pranojnë rekursin duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. 

9 të pandehurit e dosjes Xibraka, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total. Vetë Ermal Hoxha u dënua me 6 vjet e 8 muaj, por u la i lirë nga qelia e burgut të Fierit më 13 shtator të vitit 2018 kur i kishin mbetur edhe 1.8 vite dënim. Por fitoi lirinë, pasi përfitoi nga lirimi me kusht. 

Nipi i ish-diktatorit u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim, por falë gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim. Nipi i Enver Hoxhës u arrestua gjatë një aksioni ndërkombëtar i cili zbuloi një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit. Operacioni “Xibraka” u zhvillua më 14 Janar të 2015, në pranga ranë 11 persona mes tyre dhe 2 shtetas kolumbianë. 8 persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë. Ndërsa në kërkim u shpall Genci Xhixha, i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë./ZËRI

Poll

MOS HUMB