
TIRANË- Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është perzonazhi i vitit i zgjedhur nga ndjekësit e ZËRI-t. Në një sondazh që qëndroi në faqe për rreth 3 javë, 1290 votuesit unik në sondazh, zgjodhën djemtë e Kombëtares Kuqezi si personazhin e vitit, ndërsa ndeshjet e kuqezinjve kishin një interes të lartë për të gjithë shqiptarët.
Në vendin e dytë të personazheve të përzgjedhur nga ndjekësit e Zërit qëndron kreu i prokurorisë së posaçme Altin Dumani. SPAK ka qenë kryefjalë e mediave në vitin që po lëmë pas, për shkak të hetimeve të ndryshme që janë ndërmarrë, përfshirë dhe për personazhe të politikës.
Në vendin e tretë, është renditur Afrim Bunjaku, oficeri i policisë së Kosovës, i cili humbi jetën në një sulm të ndodhur nga serbët në Banjskë. Bunjaku mori titullin e dëshmorit për liri pas vdekjes, ndërkohë që vrasja e tij pasoi me momente tensionesh në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
Në vendin e katërt me 10% të votave nga ndjekësit e ZËRIT është renditur Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila shpeshtoi daljet e saj mediatike dhe në protesta, pas arrestimit të bashkëshortit Jamarbër Malltezi, nën akuzën e korrupsionit. Emri i saj është përfolur si një pasuese e mundshme e Berishës në drejtimin e partisë, mundësi që nuk është mohuar nga vetë ajo.
Renditja e Kombëtares Kuqezi në vendin e parë, është jo pa shkak, pasi djemtë arritën që të shkruanin historinë, duke e çuar Shqipërinë për herë të dytë në një europian. Euro 2024 do të luhet në Gjermani, ndërsa vendi ynë ka mësuar dhe kundërshtarët e grupit, që në fakt janë emra të mëdhenj, si Italia, Spanja dhe Kroacia. Na mbetet t'ju urojmë suksese djemve! Bekimin e ndjekësve të Zërit e kanë marrë.
Ndiqni materialin e përgatitur nga ZËRI: