
SHKODËR- Biznesmeni dhe ish-deputeti i Partisë SocialDemokrate, Tom Doshi është duke u hetuar në gjendje të lirë për shkak të një kallëzimi që i është bërë nga dy vëllezër në Velipojë. Policia doli dje me një njoftim për mediat, duke e identifikuar me iniciale Doshin, por edhe duke zbuluar shkakun e konfliktit mes tyre.
Tom Doshi, po hetohet për veprën penale ‘dëmtime të tjera me dashje’, ndërsa ngjarja pretendohet se ka ndodhur pasditen e 15 qershorit.
Raportohet se konflikti mes Doshit dhe dy vëllezërve L. dhe Prek Molla, 65 dhe 58 vjeç, për një çështje prone. Ka qenë vetë Prek Molla që ka denoncuar në policinë e Velipojës për konfliktin me Tom Doshin. Madje pretendon se ka pësuar edhe dëmtime të lehta fizike, për shkak të një konflikti që vazhdon prej vitesh. Bëhet fjalë për një pronë në zonën e Rrjollit në Velipojë, ku të dyja palët kanë pretendime për pronësinë.
Pretendimet e pronësisë nga të dyja palët kanë nisur që në vitin 2019./ZËRI