Aktualitet

Banorët konfliktohen me përfaqësuesit e kishës në Kepin e Rodonit, qëllohet me armë

Disa banorë janë konfliktuar me përfaqësues të kishës katolike në Kepin e Rodonit, pasi këta të fundit kishin rrethuar një pronë. 'Mollë sherri' është bërë prona, e cila aktualisht është park. Konflikti i pronësisë për këtë pronë zgjat prej disa vitesh.

D.XH
Banorët konfliktohen me përfaqësuesit e kishës në Kepin
Pamje nga vendi i ngjarjes

DURRËS- Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur sot në zonën e Kepit të Rodonit, ku disa banorë të fshatit Shetaj janë konfliktuar me përfaqësues të kishës. Konflikti ka nisur, pasi përfaqësuesit e kishës, po bënin rrethimin e një toke, për të cilën kanë certifikatë pronësie.

Banorët nuk kanë lejuar të bëhet rrethimi, sepse edhe ata kanë certifikatë pronësie, për këtë pronë. Konflikti mes personave ka qenë me sende të forta, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë plumbi. Prona, që u bë 'mollë sherri', ka dy certifikata pronësie, një e ka Kisha Katolike dhe një e ka familja Kaculi.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh konflikt për pronën në këtë zonë. Autoritetet, përfshirë Bashkinë e Durrësit, kanë qenë në dijeni të konfliktit.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak

Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.

Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm.

Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB