TIRANË - SPAK ka dërguar për gjykim 5 persona, mes të cilëve, 2 janë policë. Ata dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës ”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i SPAK:
Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:
Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal;
Lulzim Hasa (me detyrë shef i Klubit Sportiv të Bashkisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal;
Sefer Shuka (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës ”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Lirian Taragjini, ( i vetëpunësuar ), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25 i Kodit Penal;
Zenel Taragjini, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal ka rezultuar se të pandehurit Lirian Taragjini dhe Zenel Taragjini, në bashkëpunim me njeri tjetrin, kane arritur të japin përfitim të parregullt si dhe të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek i pandehuri Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh) dhe tek i pandehuri Lulzim Hasa (me detyrë Punonjës i Bashkisë Gramsh) duke i dhënë shumat 50.000 dhe 150.000 lekë të reja (si dhe përfitime të tjera), për të realizuar nxjerrjen e automjetit të sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Kurse i pandehuri Sefer Shuka në funksionin e Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore Elbasan ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal pasi nuk ka marrë kallëzimin si dhe nuk ka referuar faktin penal të denoncuar nga shtetasi Lirian Taragjini.
50 deri 150 mijë lekë ryshfet për të liruar makinën e sekuestruar me dru
Oficerët e policisë Çelnik Toska dhe Sefer Shuka, si dhe shtetasi Lulzim Hasa, akuzohen se merrnin para, por edhe kishin përfitime të tjera materiale, nga Zenel dhe Lirian Taragjini. Dosja prej 52 faqesh, mbart edhe biseda, që ngrenë dyshime të forta për korrupsion.
Dosja i ka kaluar për hetim SPAK-ut, pasi një oficer i përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, ka informuar prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, se teksa po kryente përgjime për një dosje të kultivimit të lëndëve narkotike në Elbasan, një nga personat që ishte në përgjim, ka thënë se për lirimin e një makine, të kapur me dru, kishte dhënë 1 milion lekë të vjetra.
Kjo bisedë e përgjuar në nëntor 2022, është bërë ndërmjet Zenel Taragjinit, pronarit të mjetit dhe një personi tjetër. SPAK, në muajin nëntor 2022 ka nisur hetimet, duke vënë në përgjim dhe survejim, oficerët e policisë së Elbasanit, babë e bir Taragjini, si dhe sekserin Lulzim Hasa. Në deklarimet e dhëna, Zenel Taragjini tha se nuk ka dhënë asnjë lekë, por se ka bërë shaka.
Taragjini u shpreh se Çelnik Toskën e njeh, sepse ai ka bërë procedimin penal ndaj tij. Në dosje thuhet se i hetuari Çelnik Toska, oficeri i policisë gjyqësore i ngarkuar për hetimin e procedimit penal në ngarkim të Zenel Taragjinit, flet me prokurorin e çështjes, ku pasi e informon lidhur me veprimet hetimore të kryera prej tij, e pyet prokurorin lidhur me makinën dhe nëse ajo është për t’u kthyer. Prokurori i kërkon që të mos merret me pjesën e makinës, për sa kohë nuk ka urdhër nga ai për ta kthyer.
Oficeri i policisë mori në një rast nga qytetarët, një viç të therrur
Një nga oficerët e arrestuar nga SPAK, sa duket, nuk kishte si qëllim, që t’ju merrte qytetarëve vetëm para, por edhe të mira të tjera materiale.
Gjatë hetimeve të kryera përmes përgjimeve ambientale dhe vëzhgimeve në terren, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, kanë zbuluar se një nga inspektorët e Policisë së Elbasanit, në një rast, i ka marrë një qytetari, një viç të therur.
Inspektori Çelnik Toska, në një rast ka marrë nga ana e Zenel dhe Lirian Taragjinit, një viç të therur, raporton Ora News. Mishi dyshohet se është marrë në këmbim të lirimit të një makine, që ishte bllokuar nga Policia e Elbasanit./Zëri.ai/