
TIRANË-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar këtë të mërkurë në detyrë kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Flamur Kapllanaj. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga: Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj relator, Etleda Çiftja anëtare dhe do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
NJOFTIMI:
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 2.7.2024, për subjektin e rivlerësimit, z. Flamur Kapllani bazuar në ligjin nr. 84/2016, vendosi: Konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Flamur Kapllani, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ndërkohë, të njëjtin fat nuk e ka pasur prokurorja e Elbasanit, Rajmonda Berisha. Kjo e fundit u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga trupa gjykuese, Xhensila Pine, Alma Faskaj relatore, Pamela Qirko anëtare. Vendimi do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Vendimet mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit./ZËRI