
TIRANË- Kryebashkiaku Adriatik Mema është paditur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Lajmin e ka bërë me dije avokati Arben Llangozi, i cili shkruan se Mema është kallëzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Mema, kryebashkiaku i Skraparit akuzohet se ka favorizuar shoqërinë "Topi - Eki" sh.p.k. për të shfrytëzuar 5.3 hektarë tokë pyll 50 vjeçar me dru AHU dhe Panjë. Kjo pasuri ndohet në Komunën Leshnje, Skrapar dhe është transformuar në një gurore.
Kallëzueset Adriana Qevani dhe Miranda Bakiasi pretendojnë se janë trashëgimtare të këtij trualli. Një tjetër trashëgimtar i ligjshëm, Asllan Jaupaj që zotëron dhe dokumentet e nevojshme nga i ndjeri Tefik Bektash Jaupaj i është drejtuar Agjencisë së Trajtimit të Pronave për njohjen dhe kthimin fizik të kësaj prone, por Agjencia në fjalë ka vendosur që të mos ua njohë këtë trashëgimi. Të njëjtat pretendime ka dhe shoqëria "Topi-Eki" me administrator Anesti Topi. Por, duke qenë se institucionet nuk kanë dalë me një vendim të formës së prerë, prona për të cilën po bëhet 'lufta', sipas avokatit, nuk duhet të tjetërsohet. Mirëpo një gjë e tillë tashmë ka ndodhur. Në atë tokë po nxirret mermer dhe kjo sipas Llagozit, përmes favorizimit nga ana e autoriteteve lokale, përfshirë dhe kryebashkiakun Mema.