
TIRANË- Arrestohet avokati, ish-shofer në prokurorinë e Kukësit, Arjan Cengu. Policia e Shtetit, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vënë në pranga një 38-vjeçarin, Cengu, aktualisht me profesion avokat; në vitin 2021 kur ishte punonjës në Prokurorinë e Kukësit ndikoi për t'i lehtësuar masën e sigurisë së një të burgosuri. "Zëri.ai" mëson se bëhet fjalë për Fatri Iseberin, ish-polic në kufirin e Morinës, i cili pas ndryshimit të masës së sigurisë ka dalë nga burgu. Për ndërhyrjen e kryer, tani ndaj 38-vjeçarit janë caktuar masat e sigurisë: “Arrest në burg”, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
NJOFTIMI ZYRTAR:
Policia e Shtetit
Ndikoi në mënyrë të paligjshme, në vitin 2021 kur ishte punonjës në Prokurorinë e Kukësit, me qëllim që të lehtësohej një masë sigurie, vihet në pranga 38-vjeçari, aktualisht me profesion avokat. Ndalimi i këtij shtetasi, rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës. Shërbimet e Policisë, në zbatim të urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaluan në Kukës dhe vunë në pranga shtetasin A. C., 38 vjeç, banues në Kukës. Ndaj 38-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi dyshohet se më datë 05.03.2021, kohë kur shtetasi A. C. ka qenë punonjës në Prokurorinë e Kukësit, ka ushtruar ndikim të paligjshëm, për të lehtësuar masën e sigurisë, të caktuar ndaj shtetasit F. I. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Iseberi u arrestua pas një aksioni të zhvilluar në prill 2022, ku u "goditën" efektivët e doganës së Morinës. Në një prej episodeve të përgjuara shfaqej edhe Fatri Iseberi me kolegun e tij, teksa flisnin për shumat e kërkuara dhe ndarjen e lekëve. Ata favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme, si dhe ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me probleme me ligjin. Duke shkelur ligjin, fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë./Zëri.ai