Aktualitet

Kurum, bomba me kurdisje në Elbasan

Ndërkohë që në Turqi ka nisur një proces masiv penal ndaj drejtuesve të Kurum, në Shqipëri kompania vazhdon punën.

k.m.
Kurum, bomba me kurdisje në Elbasan
Kurum

ELBASAN- Kompania më e madhe e hekurit në Turqi, ‘Kurum Demir’ është kthyer sot në një burim rreziku jo vetëm për punonjësit dhe fikësit e zjarrit, por edhe për të gjithë qytetarët në Elbasan. Një shpërthim i ndodhur nga një bombul gazi ka ndezur një zjarr që vazhdon prej më shumë se 10 orësh, duke lëshuar shtëllunga tymi në qytet. Vetë drejtuesi teknik i sigurisë së fabrikës 'Kurum', Mërkur Çipi ka pranuar se tymi që del nga zjarri është i dëmshëm për të gjiithë qytetarët, por në asnjë moment nuk mori asnjë përgjegjësi. Por edhe pse zjarri ra sot, alarmi është dhënë shumë kohë më parë. 

Më 26 Tetor 2021 u zbulua se kompania turke, në burimin kryesor ka fshehur procedurat e falimentimit duke u përfshirë në një skandal financiar për tjetërsimin e aseteve në mënyrë që t’i shpëtonin sekuestrimit në vendin amë. Bazuar në një artikull të “Pamfletit” shkruhet se për llogari të mashtrimit të kompanisë mëmë në Turqi, ‘Kurum’ në Shqipëri ka hartuar bilance të rreme në 5 banka të nivelit të dytë në vendin tonë, duke u marrë 210 milionë euro kredi. Lëvizja u mësua nga mediat turke, madje ‘SABAH’ bëri dhe një investigim lidhur me kreditë e marra, por jo vetëm që askush nuk u vu në lëvizje, madje ‘Kurum’ vazhdoi me mbledhjen e metaleve dhe prodhimin e hekurit në vendin tonë.

Ndërkohë që në Turqi ka nisur një proces masiv penal ndaj drejtuesve të Kurum, të cilët akuzohen për pastrim parash, mashtrim me pasoja të rënda etj. Të gjithë janë kallëzuar nga 14 banka turke, ndërkohë që në Shqipëri askush nuk “lëviz gishtin” që prej vitit 2013.

Po si u bë Kurum në Shqipëri pjesë e mashtrimit të madh në Turqi?

Kompania mëmë “Kurum” ia faturonte një pjesë të humbjeve të saj, filialit në Shqipëri “Kurum International SHA”, për të mashtruar bankat atje, ndërkohë që u merrte pa problem kreditë. Kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Hasmet Bedii Kurum, pronarit të kompanisë. I gjithë qëllimi ishte që kur kompania të “falimentonte”, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin. Në Shqipëri, kjo kompania ka marrë jo pak por 210 milionë euro borxh në banka, të cilat tani s’kanë ç’të sekuestrojnë. Dega në Shqipëri ka si administratorë Erdal Demir dhe Lindita Kikino, ndërkohë që pronarë tashmë rezultojnë shtetaset truke Melis dhe Selin Kurum, të dyja me 50 % të aksioneve, por që në të vërtetë pas tyre qëndron Hasmet Bedii Kurum.

Përveç përfitimit nga bankat, në Shqipëri kompania është akuzuar edhe për ndotje të mjedisit me pasoja të rënda, shitje të skrapit në mënyrë të paligjshme, afera korruptive etj. Madje, kompania i kërkon shtetit shqiptar 100 milionë euro për çështjen koncesionit të terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit.

Çështja kundër Shqipërisë është regjistrua në 23 shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ICSID, në Uashington. Megjithatë "flamujtë e kuq" janë ngritur edhe më tej. Më 18 mars të vitit 2022, "Reporter.al" investigoi sigurinë në punë pikërisht në këtë kompani. Sipas të dhënave të Inspektoriatit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, nga viti 2015 deri në korrik të vitit 2021, në Elbasan janë regjistruar 19 aksidentë në punë në sektorin e industrisë së rëndë. Pavarësisht se u sanksionuan me gjobë, sërish duket se asgjë nuk ndryshoi. Edhe sot, kur në kantierin e punës shpërtheu bombula e gazit, dikush ose disa punëtorë mund të ishin lënduar. Kush do të kishte mbajtur përgjegjësi për ta? Anashkalimin e masave të sigurisë në punë, tani do të duhet që ta vuajnë mijëra qytetarë të Elbasanit që edhe njëherë duhet të rrëmojnë nga sirtarët e tyre maskat, kësaj herë për t'u mbrojtur nga armiku i dukshëm. Mbi kokat e tyre, që djeg e djeg çdo ditë.../Zëri.ai

Poll

MOS HUMB