Aktualitet

Kush është Eldi Dizdari? Nga lidhjet me trafikun e drogës, tek pasuritë në Dubai me ish-miss Shqipërinë

Në tetor të vitit 2025, media belge Gazet van Antwerpen (GVA)i ka dedikuar një artikull të gjatë Dizdarit, i cili njihet edhe me emrin Denis Matoshi.

l.k

Kush është Eldi Dizdari? Nga lidhjet me trafikun e drogës, tek


BELGJIKË
-Aksioni i SPAK çoi në goditjen e grupit kriminal që dyshohet se drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari të cilët janë të dyshuar për trafikun e të paktën 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, në kuadër të një hetimi të zgjeruar ndërkombëtar.

Le të ndalemi tek ky i fundit! Eldi Dizdari nuk është i panjohur për mediat ndërkombëtare. Në tetor të vitit 2025, media belge Gazet van Antwerpen (GVA)i ka dedikuar një artikull të gjatë Dizdarit, i cili njihet edhe me emrin Denis Matoshi.

Në artikullin e publikuar flitet që nga origjina e tij tropojane, lidhjen me Dritan Rexhepin (një nga emrat më të njohur të trafikut ndërkombëtar të drogës), akuzat nga autoritetet belg, tek çelia e paraburgimit të Dubai dhe pasuritë që i ka në emrin e vet dhe të ish-bashkëshortes, Suada Sherifi, ish-Miss Shqipëria. Kjo e fundit zotëron në emrin e saj nëntë prona në Dubai me një vlerë totale prej rreth 17.8 milionë euro.

Sipas medias belge, Matoshi është përfshirë edhe në një çështje gjyqësore në Belgjikë ku akuzohet për korrupsion dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara.


Artikulli i plotë:

Shërbimet policore në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë e konsiderojnë Denis Matoshin si një nga drejtuesit kryesorë të Kompania Bello, një sindikatë mafioze shqiptare që për vite me radhë ka furnizuar Europën me kokainë nga Ekuadori. Nëse Matoshi do të përfundojë ndonjëherë para Gjykatës së Antverpenit, kjo varet nga autoritetet e Dubait.

Ironikisht, vite më parë ai u bë i njohur për publikun belg kur u ndalua për tejkalim shpejtësie nga policia rrugore belge, në një emision të gazetarit të njohur Luk Alloo.

Në atë rast, policia po ndiqte një Mercedes S500 që po lëvizte me mbi 200 km/orë në autostradën E34. Kur makina u ndalua, drejtuesi i saj, një burrë i gjatë dhe i dobët, iu lut policëve në anglisht: “Ju lutem, më lini të shkoj.”

Më vonë u zbulua se ai ishte Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari, “Shqiptari i Gjatë” ose Alduth.

Akuzat dhe lidhjet me botën e krimit

Në Shqipëri, Matoshi lidhet jo vetëm me trafikun ndërkombëtar të drogës, por edhe me të ashtuquajturën “Masakra e Bllokut”, një përplasje me armë në një lokal nate në Tiranë ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën disa të tjerë.

Autoritetet shqiptare dyshojnë se ngjarja lidhej me konflikte në trafikun e drogës ose me hakmarrje për një vrasje në Tropojë ku viktima ishin të afërm të Matoshit.

Pasuritë në Dubai

Matoshi është një nga figurat e krimit të organizuar shqiptar që janë vendosur në Dubai, ku sipas hetuesve kanë investuar miliona euro të dyshuara si të ardhura nga trafiku i kokainës.

Ai rezulton i regjistruar në kompleksin luksoz Bluewaters Island Residences 2. Dokumentet tregojnë gjithashtu se, ndonëse ka lindur në Bajram Curri, ai zotëron edhe shtetësi belge.

Matoshi është ose ka qenë i martuar me Suada Sherifin, ish-Miss Shqipëria, me të cilën ka një fëmijë. Në emrin e saj figurojnë nëntë prona në Dubai, me vlerë totale blerjeje rreth 17.8 milionë euro.

Kërkohet nga Belgjika

Aktualisht Matoshi ndodhet në paraburgim në Dubai me kërkesë të autoriteteve belge, të cilat kërkojnë ekstradimin e tij për përfshirje të dyshuar në importimin e sasive të mëdha të kokainës përmes portit të Antverpenit.

Emri i tij shfaqet gjithashtu në dosjen e njohur të klanit sirian Y. në Antverpen. Në këtë çështje ai akuzohet për korrupsion dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara, pasi dyshohet se ka siguruar pasaportë dhe kartë identiteti false belge përmes një punonjësi të korruptuar të administratës lokale.

“Kompania Bello”

Sipas hetimeve, Matoshi konsiderohet një nga drejtuesit e Kompania Bello, një federatë prej 14 grupeve kriminale shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Ai dyshohet se ka organizuar transportimin e mijëra kilogramëve kokainë drejt porteve të Antverpenit dhe Roterdamit, duke bashkëpunuar me figura të njohura të botës kriminale belge.

Në një bisedë të përgjuar mes trafikantit shqiptar Dritan Rexhepi dhe një bashkëpunëtori të tij, për Matoshin thuhej:

“Ai ka nxjerrë tashmë katër mijë kilogramë. Ai është numri ynë një.”

Operacionet ndërkombëtare

Në vitin 2020, gjatë operacionit italian “Blanco”, Matoshi u arrestua në Dubai me kërkesë të Italisë, por Emiratet e Bashkuara Arabe refuzuan ekstradimin e tij dhe ai u lirua.

Avokati i tij, Sven Mary, deklaron se Matoshi është shpallur i pafajshëm në Itali dhe nuk ka dënime penale as në Shqipëri.

“Denis ka një rekord penal të pastër në të gjithë Europën,” tha Mary.

Lidhjet me Dritan Rexhepin

Sipas hetuesve, Matoshi bashkëpunonte ngushtë me Dritan Rexhepin, një nga trafikantët më të njohur shqiptarë, i cili organizonte furnizimin me kokainë nga Ekuadori drejt Europës.

Rexhepi, i njohur për arratisje spektakolare nga burgje në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë, konsiderohej figura kryesore e Kompania Bello në Amerikën Latine, ndërsa Matoshi merrej me shpërndarjen e drogës në Europë.

Ermir Ndreaj (“Cinco”)

Artikulli përmend edhe Ermir Ndreajn, i njohur si “Cinco”, një tjetër shqiptar nga Bajram Curri, emri i të cilit është përfshirë në disa hetime për trafik droge dhe pastrim parash.

Ndryshe nga Matoshi, ai jeton lirshëm në Tiranë. Meqenëse Shqipëria nuk ekstradon shtetasit e saj, ai nuk rrezikon ekstradimin në Belgjikë, megjithëse mund të përballet me drejtësinë shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB