TIRANË- Kuvendi ka miratuar në seancën e sotme plenare emërimet e reja në Komisionin e Prokurimit Publik, në një seancë që u shoqërua me debate dhe tensione mes mazhorancës dhe opozitës. Teksa deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, shumica parlamentare vijoi me votimin e projektligjeve dhe vendimeve të rendit të ditës.
Një nga vendimet kryesore të marra ishte zgjedhja e Ismail Shehut në postin e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik. Për emërimin e tij votuan pro 78 deputetë, ndërsa 4 deputetë të opozitës votuan kundër. Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe emërimin e Edvin Simos, Donika Dacit dhe Nertil Kaninës si anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik.
Vendimet:
Projektvendimi “Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik” u miratua me 78 vota pro, 0 abstenim dhe 4 kundër. Ismail Shehu u zgjodh Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik.
Projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik” u miratua me 73 vota pro, 8 abstenim dhe 2 kundër. Edvin Simo u zgjodh anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik.
Projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik” u miratua me 73 vota pro, 5 abstenim dhe 3 kundër. Donika Daci u zgjodh anëtare e Komisionit të Prokurimit Publik.
Projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik” u miratua me 73 vota pro, 8 abstenim dhe 3 kundër. Nertil Kanina u zgjodh anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik./ZËRI