
TIRANË- Një hetim intensiv po kryhet aktualisht nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) në institucionin më të rëndësisshëm të menaxhimit të parave publike, si pjesë e vendimarrjes për ankesat në tendera dhe garat publike.
Weblajm shkruan se hetimet kanë përfshirë Komisionin e Prokurimit Publik, institucionin nga ku shumica e punëve publike si Infrastrukturë, Energjitkë, Shërbime, Restaurime, Teknologji Informacioni apo Investime Publike pas prokurimeve dhe ankimeve, shqyrtimit të dokumentave, nga KPP vendoset për të zgjedhur ofertën më të leverdisëshme ekonomike për paratë shtetërore, taksat e qytetarëve.
Deri më tani rezulton se së paku në mbi 20 praktika të tenderave me vlerë të lartë ekonomike nuk është respektuar dhe me mekanizmin e përjashtimit nga gara, ankimeve fiktive, dhe dakordësive mes operatorëve është kaluar në vlerat e larta. Skemë kjo, e cila rezulton t'i ketë shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, e për pasojë humbjen e ekzistencës të vetë Institucionit të krijuar me ligj.
Pas marrjes së dokumentave dhe praktikave të tenderave nga zyrat e KPP, SPAK pritet që ditët në vijim të marrë në pyetje drejtuesit e këtij institucioni. Në hetim janë vendosur edhe disa kompani private që dyshohet se janë pjesë e skemës.
Komisioni i Prokurimit Publik drejtohet nga Jonaid Myzyri, ndërsa pjesë e vendimarrjes për çdo ankim janë edhe anëtarët si: Nënkryetar: Fiorent Zguro, Anëtar: Anila Malaj, Anëtar: Kreshnik Ternova. Të katër këta zyrtarë publikë pritet të njihen me fletëthirrjen e SPAK dhe hetimin që po kryehet ndaj institucionit që ata janë pjesë dhe vendimarrjes së tyre në ditët në vijim./ZËRI