
TIRANË- Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin për logon e Partisë Demokratike, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në apel. Apeli do të duhet të marrë vendim me një trupë të re gjykuese.
Në vendimin e dhënë paraditen e kësaj të mërkure, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj”.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë argumenton se konflikti mes palëve se kujt i takon vula dhe logo e Partisë Demokratike është çështje që zgjidhet vetë nga kjo gjykatë.
“Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim. Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë”, thuhet në vendimin e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, Gjykata e Lartë vendosi që kjo çështje të rikthehet për rishqyrtim në Apel me një tjetër trupë gjykuese.
VENDIMI I PLOTË:
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: "Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar."
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese.
Zyra e shtypit të PD-së zyrtare që përfaqësohet nga Basha e cilësoi vendimin e së mërkurës si “hap drejt vendosjes së drejtësisë së vonuar”.
“Partia Demokratike mbetet e bindur qe kjo çështje, peng i procedurave juridike do të gjejë zgjidhjen e duhur dhe ligjore pa vonesat e shkaktuara nga ata që minojnë drejtësinë dhe të tjerët që i tremben forcimit të opozitës,” thuhet në njoftim.
Grupi i Bashës vijon të mbajë logon zyrtare të Partisë Demokratike, që u themelua me lëvizjen e Dhjetorit 1990 pas vendosjes së pluralizmit politik në vend, edhe pse është dobësuar në mbështetës dhe është në minorancë brenda grupit parlamentar.
Para marrjes së vendimit, demokratët e përfaqësuar nga Sali Berisha, u mblodhën në protest përpara Gjykatës së Lartë, me pretendimin se kishin informacion që ajo do të shprehej në favor të grupit të Lulzim Bashës. Tashmë prej afro dy vitesh përçarje në bazë dhe në të gjitha nivelet drejtuese, demokratët e gjejnë veten sërish rrugëve, në pritje të gjyqit të radhës…/ZËRI