
TIRANË – Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi kanë arritur në ambientet e GJKKO-së, teksa ndaj tyre do të mbahet seanca, në lidhje me aferën për privatizimin e klubit Partizani. Malltezi dhe Bektashi pritet të njihen sot me masat e sigurisë nga gjykata. Nuk është caktuar data e seancës për ish-kryeministrin Sali Berisha. Kjo, sepse oficerët e policisë gjyqësore nuk e kanë dërguar njoftimin te Berisha, duke bërë që ky i fundit të mos marrë dijeni për masën e sigurisë që ekziston ndaj tij, “detyrim parqitje”, si dhe masën plotësuese “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Berisha nuk pranoi që të takonte oficerët e policisë, kur këta të fundit mbërritën ne selinë blu. Ish-kryeministri nuk ka firmosur se është njoftuar nga oficerët, për masat e sigurisë, që janë në fuqi kundrejt tij.
Në lidhje me privatizimin e kompleksit Partizani, SPAK arrestoi në Rinas, Jamarbër Malltezin. Ndërsa, ish-kreu i qeverisë Sali Berisha dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi ndalohet të dalin jashtë shtetit dhe gjithashtu duhet të paraqiten pranë policisë gjyqësore.
Ndaj Jamarbër Malltezit rëndojnë akuzat “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani.
Ndërtuesi Fatmir Bekteshi akuzohet se ka shfrytëzuar territoret sportive për kryerje ndërtimesh dhe nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar Malltezit dhënien e përfitimeve të paligjshme në vlerën 5.4 mln euro, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka marrë veprime konkrete, në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe Jamarbër Malltezi./Zëri.ai/