
TIRANË- Oficerët e Policisë Gjyqësore në Tiranë kanë mësyrë pasditen e sotme në banesën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Siç duket edhe nga pamjet në artikull, 3 OPGJ kanë shkuar në banesën e kryedemokratit, por nuk dihet se çfarë veprimesh kanë kryer brenda, ndërkohë që deri më tani, vetë Berisha nuk ka bërë asnjë reagim.

Teksa për Jamarbër Malltezin pritet një vendim nga GJKKO për "arrest me burg", agjentët kërkojnë të njohin Berishën me masën e sigurisë "detyrim paraqitje", por ish-kryeministri më herët nuk i ka pritur ata duke pretenduar se vendimi është i jashtëligjshëm pasi ai mban mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Disa orë më parë, ai doli në një konferencë për mediat, duke u shprehur se nuk e pranonte që të shkelte Kushtetutën, ndaj nuk do të firmoste asnjë dokument pa pasur një vendim nga Kuvendi. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, por e deklaroi veten të pafajshëm dhe akuzoi Ramën se po kërkon të eliminojë opozitën. Po ashtu, për dhëndrin e tij, Berisha tha se e gjitha ishte një sulm politik për shkak se sipas tij, Malltezi denoncoi aferën e inceneratorëve./Zëri.ai