
KORÇË- Drejtuesi i Prokurorisë së Korçës ka vendosur të largojë prokuroren Vasjana Postoli nga hetimi i çështjes së Egli Progës. Ky vendim erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së familjes së viktimës, e cila shprehu shqetësime për trajtimin e hetimeve.
Postoli ishte përgjegjëse për hetimin e Denis Meçes, i dyshuar për vrasjen e Progës. Në një vendim të mëparshëm, ajo kishte ndryshuar akuzën kundër Meçes, duke e cilësuar vrasjen si "vrasje nga pakujdesia," gjë që nxiti pakënaqësi nga familja e viktimës. Pas largimit të Postolit, tashmë do të pritet hedhja e shortit për të zbuluar se kush do të jetë prokurori i ri i kësaj çështje.
Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçen, me akuzën e vrasjes me dashje dhe proçedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari. Por Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçen nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës. Rreth orës 19:09 të 10 gushtit, është marrë njoftimi se në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec, është gjetur një person i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar si Egli Proga.
Policia fillimisht e raportoi ngjarjen si aksidentale, me pretendimin se Proga kishte ndërruar jetë, pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete. Gjykata ka lënë në burg autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç. Familja e Progës ka kërkuar drejtësi, ndërkohë që në kujtim të viktimës, dhe kauzës së familjes, edhe në Tiranë u mbajt një protestë./ZËRI